Prapaskena

“I ka pajisur vilat e tij me nga 9 banjo për macen”, Veliaj sulmon ashpër Metën: Po ysht militantët e LSI-së që të hiqen si banorë të zonës

Publikuar: 26/05/2021

Përmes një deklarate për mediat, Bashkia e Tiranës që drejtohet nga Erion Veliaj, ka sulmuar presidentit Meta, sa i takon shqetësimit të një familje në Zall Herr që do ti merret toka për shkak se qeveria do të ndërtojë një lagje për banorët që u janë dëmtuar shtëpitë nga tërmeti.

Shqetësimi i familjes Lama u bë publikisht fillimisht në Fax News, dhe menjëherë pas kësaj reagoi dhe presidenti, i cili kujtoi se e drejta e pronës është një nga të drejtat themelore. (Lexo reagimin e Metes)

Mirëpo bashkia e Tiranës, pretendon se toka në fjalë, rreth 28 mijë metra katrorë, është në pronësi të tyre dhe jo në të familjes Lama, ndërsa këta të fundit thonë se shpronësimi i tyre ka nisur në mënyrë të fshehtë.

Reagimi i Bashkisë së Tiranës:

Bashkia e Tiranës vëren me keqardhje se Presidenti i Republikës vijon të nxisë, sipas një plani të përcaktuar, shërbëtorë të partisë së tij, për të penguar dhe prishur procesin e rindërtimit në Zall-Herr, duke vonuar me dashje, edhe më tej, futjen në shtëpitë e reja të banorëve të zonës, të cilët po presin me padurim të marrin banesat e tyre.

Aktet e fundit të Presidentit të Republikës minojnë qëllimisht një proces për të cilin, si Qeveria, edhe Bashkia e Tiranës, po e çojnë përpara me sukses, për të strehuar secilën nga familjet e prekura nga tërmeti tragjik i nëntorit 2019.

Yshtja e militantëve të LSI-së, që hiqen gjoja si banorë të zonës, për t’i siguruar Presidentit postimin dhe lajmet e radhës në portale, është e turpshme, kriminale dhe duhet të ndiqet nga organet hetimore.

Familjet e Zall Herrit, të prekura nga tërmeti, do të marrin në pronësi shtëpitë e reja, në një lagje të ndërtuar posaçërisht për ta, me infrastrukturë dhe shërbime model, në tokë që është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, njësoj si banorët e Ndroqit apo Vaqarrit.

Një President, i cili i ka pajisur vilat e tij me nga 9 banjo për macen, por s’ka marrë mundimin të ndërtojë qoftë edhe një shtëpi për një familje nga Zall-Herri, nuk ka asnjë të drejtë të bllokojë dhe pengojë punën për rindërtimin e shtëpive të familjeve të prekura nga tërmeti.

Shqiptarët e dhanë mesazhin e tyre për këtë President në 25 prill, ndaj s’është nevoja dhe nuk do të lejohet që ky të hakmerret ndaj tyre duke u penguar ndërtimin e shtëpive.



Më të lexuarat