Prapaskena

Si u ekzekutua në derë të shtëpisë shqiptari në Islandë

Publikuar: 25/05/2021

4 persona janë marrë të pandehur për vrasjen e Armando Beqirit, shqiptarit i cili u vra në derë të shtëpisë së tij në Reykjavík të Islandës, më 13 Shkurt të këtij viti. Sipas mediave islandeze, çështja kaloi mëngjesin e kësaj të marte në gjykatë.

Të akuzuarit janë 3 meshkuj të moshës 30-40 vjeç dhe një vajzë në të 20-at. Një prej të pandehurve është shqiptari Angjelin Sterkaj, i cili e ka pranuar vrasjen. Ai ka thënë para autoriteteve islandeze se ka vepruar i vetëm. Ndërsa 3 personat e tjerë i kanë mohuar akuzat.

Krimi tronditi mbarë shoqërinë në Islandë, shkruajnë mediat vendase, pasi kishte të gjitha karakteristikat e një ekzekutimi mafioz në një prej lagjet më të qeta të Reykjavík dhe nxiti debate për krimin dhe përplasjet për pushtet mes bandave që kontrollojnë drogën.

Sipas akuzës, vrasja ndodhi në këtë mënyrë: Një prej të akuzuarve i tregoi 20-vjeçares dy makinat në pronësi të Armandos, dhe i kërkoi që të raportonte tek ai në Messenger për çdo lëvizje të mjeteve. Dhe ajo ashtu bëri.

Dy persona të tjerë ndoqën një prej makinave në lagjen ku banonte shqiptari. Një prej personave doli nga makina u fsheh në garazhin e shtëpisë së Armandos dhe e qëlloi atë 9 herë, në momentin që mbërriti në shtëpi.

Vrasësi më pas u mor nga dy persona me makinë, të cilët udhëtuan drejt Islandën Veriore. Ata bënë një ndalesë pranë Reykjavík, ku hodhën armën e krimit në det.

Angjelin Sterkaj ndodhet në burg, së bashku me një tjetër të akuzuar. Dy të akuzuarit e tjerë e kanë të ndaluar të udhëtojnë. Mediat islandeze sqarojnë se të tre meshkujt nën akuzë janë shqiptarë, ndërsa 20-vjeçarja është portugeze.

Armando Beqiri ishte në të 30-at e tij. Ai gëzonte nënshtetësinë islandeze dhe ishte baba i një fëmije të mitur nga martesa me një grua islandeze.



Më të lexuarat