Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin për përplasjen mes kryeministrit Edi Rama me Presidentit Ilir Meta për emërimin e ministrave. Gjykata në fakt i jep të drejtë Metës, duke pohuar që emërimi i një ministri është kompetencë e përbashkët e kryeministrit, presidentit dhe Kuvendit.
Përplasja Meta-Rama startoi pas refuzimit të presidentit për të mos dekretuar si ministër të jashtëm Gent Cakaj, në riformatim e sipër të qeverise gjatë 2019 . Kjo solli kërkesën kryeministrore në gjykatë kushtetuese që kërkon interpretim të ligjit dhe që sipas përfaqësueses së Kryeministrit, me tejkalimin e tagreve nga presidenti Ramës nuk i mbeti asnjë zgjidhje veçse të emëronte veten.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se të tre institucionet kanë rolin e tyre duke vendosur kështu një balancë: – Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.
Vendimi
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 18.05.2021, çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, njëzëri,
VENDOSI:
– Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
– Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
– Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:
– Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
– Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.
– Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion.
– Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.