Dyshimet e shërbimeve amerikane të zbulimit se koronavirusi mund të ketë dalë nga Laboratori i Institutit të Virologjisë së Wuhanit nuk i hedh poshtë as kryevirologu amerikan Antony Fauci. Duke folur online përpara studentëve të Universitetit të Yale në Shtetet e Bashkuara, Fauci bëri thirrje për thellimin e hetimeve pa përjashtuar asnjë mundësi mbi origjinën e COVID-19.
“Nuk jam i bindur për origjinën natyrale të virusit. Mendoj që duhet të vazhdojmë të hetojmë për çfarë mund të ketë ndodhur në Kinë”.
Dyshimet u rikthyen në vëmendje pasi e përditshmja prestigjoze Wall Street Journal publikoi të dhënat e një raporti të shërbimeve amerikane të zbulimit. Aty thuhej se 3 ekspertë të laboratorit të Wuhanit kishin kërkuar ndihmë mjekësore në Nëntor të 2019-ës, më shumë se një muaj para nisjes së përhapjes masive të koronavirusit.
Më herët gjatë këtij viti, ekipi i ekspertëve të OBSH-së që vizitoi Wuhanin për të grumbulluar fakte mbi origjinën e COVID-19 e përjashtoi mundësinë e daljes aksidentale të virusit nga laboratorët dhe tha se pista më e besueshme ishte mutacioni përmes infektimit të kafshëve të egra si lakuriqët e natës.