Aishe Haklaj, motra e vëllezërve Haklaj në Tropojë, ka reaguar pas vendimit të DASH për shpalljen “non grata” të Sali Berishës.
Duke mos e fshehur kënaqësinë, ajo thotë se familja e saj e ka pritur prej kohësh këtë vendim të DASH për ish-kryeministrin, madje që prej vitit 1997.
Teksa e quan Sali Berishën “Sllobodani shqiptar dhe Sali bisturia”, Aishe Haklaj ka rënditur disa nga bëmat e ish-kryeministrit.
“Saliu i futi shqiptarët e Kosovës mes dy zjarresh serbe, të cilat vinin nga Sllobodani serb dhe nga Sllobodani shqiptar, Sali bisturia”, deklaron Haklaj.
Ajo e akuzon Berishën për dekonspirim të aksioneve të UÇK, si dhe për arrestimin, zhdukjen dhe burgosjen e disa atdhetarëve dhe luftëtarëve.
“Qëndrimi i DASH ndaj dinastisë Berisha ishte i shumë pritur për familjen tonë. Ne e kemi pritur këtë qëndrim që në Vitin e zi të 1997, sepse populli e bëri atë që duhej bërë duke e rrëzuar Saliun dhe kliken e tij nga pushteti. Siç duket tani janë pjekur kushtet që të merrej një qëndrim i tillë sepse në ‘97 shteti ishte i krimbur në çdo qelize të tij nga vete Saliu.
Drejtësia shqiptare ishte ajo e plepave të Saliut, e cila ishte e komanduara dhe e deleguara e atij faqeziu. Saliu ju mori shqiptareve kafshatën në gojë dhe hyri në politikë për të ç’bërë shtetin shqiptare ashtu siç e ç’bëri dhe për ta sllavizuar atë.
Saliu i futi shqiptarët e Kosovës mes dy zjarresh serbe, të cilat vinin nga Sllobodani serb dhe nga Sllobodani shqiptar, Sali bisturia. Shqiptaret e Kosovës kishin dy avantazhe gjatë përpjekjes se tyre për të shkëputur zinxhirët 100 vjeçare të robërisë.
Njëri fat ishte se na mbiu Amerika në derë dhe fati tjetër ishte se Saliu nuk ishte në pushtet në kohën e luftës së Kosovës.
Gjatë kohës se pushtetit pushtues të Saliut, patriotet, atdhetarët e luftëtarët e lirisë së Kosovës martire u dekonspiruan, u arrestuan, u burgosen dhe u zhduken”, shkruan Aishe Haklaj.
Duke e akuzuar ish-kryeministrin për gjenocid ndaj familjes së saj, Aishe Haklaj kërkon që vendimi i DASH të jetë vetëm fillimi për Sali Berishën.
Ajo kujton vitin 2006, ku sipas saj Berisha i hapi luftë familjes Haklaj, duke nxjerrë emrat e të mbijetuarve në Interpol, si dhe duke u shembur shtëpitë dhe dhunuar varret e të vdekurve.
“Dëshirojme që ky qendrim i DASH të jetë një proces në vazhdim. Ne i kemi parë me sy dhe i kemi prekur me dorë krimet shteterore të Saliut.
Në 2006 kur krimi shteteror i Saliut bëri një gjenocid ndaj familjes tonë duke nxjerrë në Interpol të mbijetuarit e familjes tonë dhe duke hapur njekohësisht gjygje të paragjykuara në mungese ndaj të mbijetuarve. E veç këtyre duke na detyruar të largohemi nga atdheu yne dhe duke na shëmbur shtëpinë e dhunuar edhe varret e të vdekurve.
Në këtë kohe ju kemi drejtuar edhe ambasades amerikane ku ambasadore ishte Marsi Ris. Gjatë gjithë kohës bënim denoncimet e radhes, por Drejtesia shqiptare ishte e kriminalizuar dhe e kapur nga çbërësi i shtetit dhe vrasesi i shqiptarëve Sali Berisha.”
Aishe Haklaj shkruan se, DASH jep mesazhin e qarte se askush nuk është i paprekshëm, prandaj kërkon që drejtësia e re shqiptare, të bëjë drejtësi.
“Urojme që Drejtesia e re shqiptare të verë në banken e të akuzuarve të gjithë ata që kanë bërë krime, e sidomos ata që kanë përdorur, shpërdorur dhe abuzuar me shtetin siç është rasti i dinastisë Berisha.”, thuhet në reagimin e saj.
Sipas vetë familjarëve, ish-kryeministri Sali Berisha është akuzuar publikisht si përgjegjës për vrasjen e Hakljave dhe për serialin e ekzekutimeve që prodhoi 200 viktima në Tropojë.
Zylfie Haklaj, 1 vit më parë, drejtoi gishtin publikisht tek Sali Berisha për vrasjen e vëllezërve të saj.
“Në familjen time ka 14 persona të vrarë dhe përgjegjës kryesor për këtë është Sali Berisha. Ne kërkojmë drejtësi, unë jetoj për të dëshmuar”, deklaronte Zylfie Haklaj.
Ndryshe nga Zylfia, e cila është njohur gjerësisht si “Shota, Aishe Haklaj ka pasur një profil më të tërhequr. Madje edhe në Suedi ajo ka vijuar të punojë si mësuese.