Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë së Vlorës për tentativën e transportimit përmes detit të një sasie të madhe droge. Gjithahstu, 577 kg drogë në formë çokollate është sekuestruar në gomonen e bllokuar në Karaburun.
Vijon….
Njoftimi i Policisë Vlorë:
Shërbimet e Policisë, në vijim të kontrollit të territorit dhe koordinimit të veprimeve me QNOD, për kontrollin e hapësirës detare, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, kanë organizuar punën për bllokimin e një mjeti lundrues që dyshohej se kishte lëndë narkotike në bord.
Ndjekja nga deti dhe toka zgjati disa orë. Në vendin e quajtur “Gjiri i Dafinës”, pranë Karaburunit, personat që ishin në bord, në pamundësi për t’i shpëtuar ndjekjes së Policisë, tentuan të braktisnin mjetin lundrues dhe të largoheshin, por u kapën dhe u prangosën gjatë ndjekjes nga Policia.
Shërbimet policore kanë sekuestruar mjetin lundrues gomone, në bordin e të cilës u gjetën dhe u sekuestruan 577 kg lëndë narkotike, një pjesë në formë çokollate.
Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë ndalimi i shtetasve M. B., 43 vjeç, H. M., 27 vjeç dhe Ë. M., 34 vjeç, banues në Vlorë, të dyshuarit si trafikues të lëndës narkotike.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të tentativës për trafikim të lëndës narkotike, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme