Agron Shehaj, që kandidon për postin e kreut të PD-së në zgjedhjet që do të zhvillohen në 13 Qershor, në një konferencë për mediat, shpjegoi pasditen e sotme se cilat ishin arsyet që e shtyn të merrte këtë vendim. “Unë jam bindur pas humbjes në 25 Prill, që Lulzim Basha fatkeqësisht nuk e çon PD në fitore, është bindje, jam bindur. Ne duhet të ndryshojmë lidershipin e PD-së në këtë mënyrë nuk fitojmë dot” tha ai.
Por nëse fiton, çfarë qëndrimi do të mbajë ai për “gardën e vjetër”, që janë larguar nga Basha?
“Nuk duhet të futem në detaje, por PD duhet të jetë e hapur, nuk duhet ta kenë mirë me mua, vendimet duhet ti marrin anëtarët e PD-së, PD nuk është dhe nuk duhet të jetë e askujt. Cdo kryetar ka mundësinë të fitojë dhe të konkurrojë vetëm njëherë për të fituar zgjedhjet dhe pastaj duhet të largohet. Demokratët do të vendosin. PD duhet të jetë e hapur dhe demokratët do të vendosin kush do të ecë dhe kush jo” tha ai.
Por a ka Shehaj një platformë për ta çuar PD-në në fitore? “Unë mendoj që për të fituar zgjedhjet duhet reformuar PD-ja, duhet hapur PD ndaj të gjithëve ndaj të vjetërve dhe të rinjve. Duhet të jetë e qartë dhe transparente. Anëtarët duhet të vendosin për karrierën e liderëve përmes votës. Do të propozoj votimi i listës për kandidatë të PD-së nga anëtarët me parimin një anëtar një votë. Jo duke i pyetur anëtarët kë nuk doni, por kë doni”.
Shehaj u pyet nga gazetarët sesi mendon që do të jetë raporti i tij me Lulzim Bashën nëse nuk fiton garën dhe a do të vazhdojë të jetë pjesë e një grupi parlamentar për të cilin mendon se me kryetarin aktual në detyrë nuk shkon në fitore? “Nëse nuk më përjashtojnë po. Nuk kam arsye pse. Por nuk besoj. Unë shpreha bindjen time, fatkeqësisht mendimin tim e ndajnë shumë veta në PD, por kur them shumë janë me të vërtetë shumë” theksoi ai.