Prapaskena

Agron Shehaj sfidon Bashën, shpall kandidaturën për kryetar të PD

Publikuar: 22/05/2021

Agron Shehaj, një nga figurat më popullore të së djathtës, ka shpallur sot kandidaturën për drejtimin e Partisë Demokratike, duke sfiduar Lulzim Bashën.

Shehaj bëhet kështu i katërti që zyrtarizon emrin e tij si kandidat për kryetar përballë Lulzim Bashës në Partinë Demokratike.

Ndërkohë që më herët Ibsen Elezi dorëzoi sot formularin e kandidimit pasi dje  e bënë këtë Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi, dhe vetë kryetari Basha. Ndërsa po sot është tërhequr nga kandidimi ish-nënkryetari i FRPD-së, Lisandër Hoxha.

Përmes një postimi në Facebook Shehaj shprehet se Shqipëria ka sot nevojë për opozitë të fortë, parimore dhe frymëzuese. Sipas tij për këtë duhet një vizion dhe drejtim i ri dhe se ndryshimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime.

Postimi i Shehajt

Shqipëria ka sot nevojë për opozitë të fortë, parimore dhe frymëzuese. Shqipëria ka sot nevojë për Partinë Demokratike!

Ne demokratët do ta kapërcejmë gjendjen e vështirë ku jemi dhe do ngrihemi më të fortë se më parë. Përballë autokracisë, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë, ne do të ndërtojmë alternativën e lirisë, ndershmërisë dhe aftësisë.

Për këtë duhen energji të reja, vizion i ri, drejtim i ri.

Me ketë bindje, kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime. Konkurimin nuk e shoh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur.

Unë besoj se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime.

Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ju që më keni besuar e nxitur të marr përgjegjësinë e garës. Unë kam hyrë në politikë për të punuar për njerëzit, jo për t’u pasuruar dhe nuk do ju zhgënjej”. 



Më të lexuarat