Prapaskena

PSE NË FRANCË?! Dy historianët britanikë kanë një përgjigje për “padinë franceze të Berishës”. Njeriu i shërbimeve franceze dhe UDB-së? Libri i ndaluar i James Pettifer dhe Miranda Vickers

Publikuar: 21/05/2021

“Megjithëse Berisha kishte miqtë e tij në qarqet qeveritare të Parisit, kishte gjithashtu marrëdhënie miqësore me shërbimet e fshehta franceze dhe ishte ushqyer me idetë frankomasone në Francë, pjesa dërrmuese e opinionit ballkanik të Francës ishte kundër Berishës…”

Kjo pjesë është shkëputur nga një libër i dy historianëve britanikë Miranda Vickers dhe James Pettifer.

Në kohën kur u botua njëherësh në anglisht dhe në shqip, pra në Londër, Nju Jork dhe Tiranë njëherësh në 2007, pra në 10-vjetorin trazirave të 97-s, ishte libri më i bujshëm për zhvillimet shqiptare të dy dekadave të fundit.

Në Tiranë ky libër u përkthye nga Xhevdet Shehu, por menjëherë u etiketua si “libër i ndaluar”.

Ai kishte ardhur në shqip dhe pati efektin e një tërmeti, për shkak të disa të vërtetave të hidhura, që shqiptarët, megjithëse i kishin përjetuar intensivisht ngjarjet, ende nuk i dinin.

Sipas të dhënave të dokumentuara nga Petifer dhe Vickers, na del një Berishë krejt tjetër nga ai që luan aq fort me kartën e patriotit.

Në librin e studiuesve të njohur nënkuptohet se ish-presidenti shqiptar ishte “shumë pranë shërbimeve franceze”, shërbime të cilat ishin seriozisht të investuara në mbështetjen ndaj Millosheviçit dhe shpërbërjes së UÇK-së.

Në atë periudhë u arrestua Adem Jashari, heroi tjetër Zahir Pajaziti, ndërsa një skuadër me pagesë u dërgua në Tiranë për të vrarë Hashim Thaçin, por ekzekutuan gabimisht shokun e tij të dhomës gazetarin Hysni Vulaj.

Berisha ka studiuar në Paris i dërguar nga regjimi i Hoxhës që aq shumë e anatemon.

Më poshtë, pjesë nga libri që i jeo dhe një shpjegim “gjyqit në Francë” që ka përmendur sot Berisha duke tentuar të sfidojë të pamundurën: Një vendim të Shteteve të Bashkuara për ta shpallur atë dhe familjen e tij persona të padëshiruar në SHBA me shkak korrupsionin madhor:

******

Rebelimi i 1997-s dhe Kosova

Nga Xhejms Petifer, Miranda Vickers

Ndërsa trazirat nuk po shqiteshin nga rrugët në kulmin e verës 1997 në Shqipëri, pak vëmendje po i kushtohej nga mediat ndërkombëtare zhvillimeve në Kosovë. Gjithsesi kishte një shqetësim të madh brenda kancelarive dhe selive të organizatave ndërkombëtare se kriza shqiptare mund të përhapej atje. Një pakicë diplomatësh të huaj të mirinformuar dinin se si ziente diaspora shqiptare dhe se ishin duke u shtuar kritikat ndaj politikës pacifiste të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shtetet proserbe si Anglia dhe Franca, që kishin lidhje të ngushta bashkëpunimi të shërbimeve të tyre sekrete me ato të Jugosllavisë, kishin marrë raporte shqetësuese nga Beogradi mbi armatosjen e shqiptarëve në fshehtësi. Para se rebelimi popullor ta vinte poshtë qeverinë e Tiranës në janar 1997, administrata e Berishës deshi ta përcjellë shqetësimin e saj te diplomatët e huaj për përkeqësimin e situatës në Kosovë.

Nga fundi i muajit, kryeministri Aleksandër Meksi lëshoi një deklaratë të përbashkët me ‘kryeministrin’ e Kosovës Bujar Bukoshi, ku dënohej politika e qeverisë së Millosheviçit dhe premtohej mbështetja e Shqipërisë për ‘rezistencën paqësore në Kosovë dhe të drejtën legjitime të popullit të Kosovës për vetëvendosje’. Pavarësisht se në dukje ky ishte një reagim normal për situatën, dredhia që shfaqej në formulimin e deklaratës (ku nuk thuhej asnjë fjalë për UÇK-në, as pranohej njohja e ekzistencës së saj) mund të ilustrohet nga fakti se në javën pasuese, 16 shqiptarë do të gjykoheshin në gjykatën e qarkut të Prishtinës për pjesëmarrjen e tyre në UÇK. Në të vërtetë, koha për zgjidhje paqësore kishte ikur, ndaj dhe hendeku midis qeverisë së Berishës dhe udhëheqjes kolaboracioniste të LDK-së nga njëra anë, dhe realitetit kosovar nga ana tjetër, po thellohej dita-ditës. Madje dhe barrierat e vjetra midis krahëve ‘pacifistë’ dhe ‘militantë’ në lëvizjen kombëtare kishin rënë.

Në bashkësinë e pasur dhe të fuqishme të diasporës zvicerane, gazeta shqiptaro-zvicerane ‘Rilindja’ me pronësi kosovare, por e kontrolluar nga LDK-ja, ribotoi një artikull të vijës së ashpër të periodikut ‘Çlirimi’ të Lidhjes Kombëtare për Çlirim Kombëtar (LKÇK) të 23 janarit 1997, ku i mëshonte çështjes së luftës. Ishte kjo një shenjë e rëndësishme që shtypi i deriatëhershëm i bindur i LDK-së nuk do të pranonte më tej vijën e udhëheqjes së LDK-së.

Në terren, në fushat dhe pyjet e Kosovës, ndërkaq, konflikti po intensifikohej. Kosova verilindore ishte një nga trevat më të fuqishme nacionaliste dhe strukturat serbe të sigurimit ishin drejtuar aty nga shumë zona të tjera në fillim të vjeshtës së vitit 1996. Në ditët e fundit të janarit, policia serbe zuri pritë në një urë pranë qytetit të Vushtrrisë dhe vrau tre drejtues të rëndësishëm të UÇK-së: Zahir Pajazitin, Edmond Hoxhën dhe Hakif Zejnullahun. Në këtë kohë në shtypin ndërkombëtar kishin filluar të botoheshin disa artikuj për armët që kosovarët blinin në Shqipëri. Po në këtë periudhë nisën edhe një sërë kontaktesh politike në marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë, që në të vërtetë i vunë të gjithë aktorët politikë të Tiranës dhe ata ndërkombëtarë përballë pasigurive të shumta dhe komplekse për vitin e ardhshëm dhe më tej.

Kjo buronte nga dy faktorë: nga prishja e marrëdhënieve Berisha-Rugova të cilat kishin dominuar tërësisht ligjërimin politik për Kosovën në Tiranë që nga viti 1992 dhe që pasoi me humbjen e pushtetit të Berishës, dhe së dyti, nga dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si një forcë ushtarake vendore me sferë veprimi në Shqipëri dhe në Kosovë.

Nga ana e vet, kjo solli një krizë në marrëdhëniet diplomatike të bashkësisë ndërkombëtare me çështjen e Kosovës, e cila gjer atëherë ishte mbështetur te lidhjet Berisha-Rugova për ta orientuar çështjen e Kosovës në botën shqiptare në një drejtim të moderuar. Praktikisht kjo donte të thoshte se, që nga koha kur Berisha erdhi në pushtet në vitet 1991-92 deri në rënien e qeverisë së PD-së më 1997, të gjitha diskutimet zyrtare dhe veprimet në Tiranë ishin kufizuar në fushën diplomatike, ndërsa alternativa ushtarake e shqiptarëve të Kosovës kundër pushtimit serb ishte përjashtuar. Pas pranverës së vitit 1997, gjithsesi, shumë nga levat që mund të lëvizeshin nga NATO-ja dhe BE-ja për të nxitur aktorë politikë të veçantë në një drejtim të caktuar ose ishin zhdukur, ose kishin humbur ndikimin e tyre të mëparshëm.

Lufta për t’i dhënë fund kontrollit serb mbi Kosovën dhe rebelimi nëpër rrugë për t’i hequr Berishës kontrollin e Shqipërisë ndodhën si të thuash ndarazi, por në një kuptim tjetër paralelisht me rihapjen e çështjes kombëtare. Fillimi i ndërgjegjësimit mbarëshqiptar ishte duke u rritur në shumë zona të palidhura me njëra-tjetrën. Mbështetësit proserbë të Berishës në Britani u llahtarisën, ndërsa po jetësohej frika e tyre më e madhe – fillimi i një lufte të vertetë ushtarake për çlirimin e Kosovës nga pushteti serb. Si në Shqipëri, edhe në Kosovë politika ishte duke u larguar nga domeni i elitës politike – ose të paktën nga ajo pjesë që në perëndim konsiderohej si e përgjegjshme – dhe po kalonte rrugëve të qyteteve dhe fshatrave malorë.

Ky pasivitet i elitës asnjëherë nuk kishte përbërë tablonë e plotë të aktivitetit kosovar në Shqipëri, ndaj dhe për shumë vjet supozime serbe flisnin për një ushtri të fshehtë që ishte duke u formuar në Shqipëri me synim pushtimin dhe shqiptarizimin e Kosovës. Kjo ushtri thuhej se ishte vazhduese e kryengritjeve të zonës së Drenicës kundër aparatit revizionist titist pas Luftës së Dytë Botërore. Më tej krejt Kosova qendrore u bë një sheshbeteje për katër vjet nga shqiptarët që luftonin kundër ‘komunizmit’ të imponuar të Beogradit.

Organizata si Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) dhe Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), kjo e fundit e krijuar jo më vonë se viti 1982, duke pasuar demonstratat e studentëve të Prishtinës më 1981- po rriteshin në ilegalitetin politik. Ato e shihnin Shqipërinë si një shoqëri të lirë edhe nën sundimin e Enver Hoxhës, krahasuar me shtypjen kombëtare në Kosovë. Në periudhën e turbullt në Kosovë nga viti 1985 deri më 1990 kur Millosheviçi e përdori Kosovën si platformë për të marrë pushtetin, ra udhëheqja e atëhershme kolaboracioniste shqiptare e Partisë Komuniste nën drejtimin e Azem Vllasit, ndërsa boshllëkun politik e mbushi Ibrahim Rugova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Rugova ka pretenduar gjithnjë se gëzonte mbështetjen e pakufishme të të gjithë shqiptarëve të Kosovës për politikën e tij pacifiste, por në fakt kjo nuk ka qenë kurrë e vërtetë. Në Kosovë dhe kudo, ata që e njihnin nga afër realitetin e Kosovës, ishin të ndërgjegjshëm se ky qëndrim i ishte imponuar atij nga rrethanat pas dështimit të madh të minatorëve të Trepçes më 1988-89. Por kishte gjithashtu gjithnjë nacionalistë parimorë në LDK që shprehnin privatisht nevojën për një forcë ushtarake kosovare.

‘Kryeministri’ i Kosovës Bujar Bukoshi kishte formuar një ‘Ministri të Mbrojtjes’ në të ashtuquajturën ‘qeveri në mërgim’ më 1991, dhe për një farë kohe deshi të kundërshtonte pacifizmin e plotë dhe paaftësinë organizuese të Rugovës. Bukoshi donte ta çlironte ‘Ministrinë hije të Mbrojtjes’ nga kontrolli politik dhe të përdorte talentet e ish-ushtarëve të shumtë dhe mjaft të aftë të shqiptarëve të Kosovës që kishin shërbyer në ushtrinë e vjetër popullore jugosllave. Por kjo ishte krejt e pamundur pasi udhëheqja e LDK-së e kundërshtonte atë dhe kishin mbisunduar pikëpamjet e Rugovës. Vetëm pak drejtues të LDK-së, si nënkryetari i Partisë Fehmi Agani, ishin në kontakt me udhëheqës të UÇK-së në Drenicë si Adem Jashari.

Jashtë Partisë, në mbarë shoqërinë shqiptare kosovare, një pjesë e militantëve nuk qenë kurrë dakord me bazat politike të LDK-së dhe përpunuan trashëgiminë e grupeve të vogla ilegale me besim në luftën e armatosur. Kjo e kishte nismën që nga koha e heroit të burgosur të çështjes kombëtare, Adem Demaçit, dhe filloi të bashkohej pas 1992-shit me Ushtrinë Çlirimtare që sapo ishte krijuar.

Në këtë periudhë kishte disa grupe të vogla individësh që stërviteshin ushtarakisht dhe merreshin me sigurimin e armëve ku të mundnin. Por ishte dhe pjesa nacionaliste parimore në LDK që nuk pajtohej me strategjinë e udhëheqjes dhe që bënte çmos në nivele vendore për të ndihmuar rritjen e aftësisë ushtarake. Pas luftës në Kroaci, disa rekrutë shqiptarë të Kosovës dezertuan nga ushtria jugosllave dhe filluan përgatitjen ushtarake në Shqipëri për të formuar një forcë të re ushtarake.

Në këtë etapë, vetëm shumë pak njerëz ishin përfshirë në këtë veprimtari, ndërsa emrat e komandantëve të ardhshëm si Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Agim Çeku dhe Adem Jashari ishin krejtësisht të panjohur. Ata vepronin me emra të ndryshuar në disa formacione të vogla, ku Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) dhe Lëvizja Popullore e Republikës së Kosovës (LPRK) ishin me më shumë ndikim.

Por rrënjët e tyre shkonin thellë në historinë e vonë të Kosovës, që nga viti 1949 kur Enver Hoxha kishte kërkuar të krijoheshin grupe ilegale në Kosovë nën drejtimin e figurave legjendare si Xheladin Qira për të përgatitur terrenin për të luftuar kundër pushtetit të Beogradit. Kjo përpjekje më së shumti dështoi dhe e shkatërrua nga policia titiste. Nga pikëpamja ushtarake Shqipëria paraqiste mundësi të mëdha për radikalët e Kosovës pasi ajo ofronte një bazë të sigurtë për veprimet përgatitëse dhe logjistike që mund të ndërmerreshin.

Hapat e parë në këtë drejtim u hodhën në vitin 1991 kur një grup prej 54 kosovarësh filluan përgatitjen ushtarake në akademinë e Tiranës. Sapo kryeqytetet perëndimore morën njoftim për këto zhvillime, qeveria e Partisë Demokratike u vu nën një presion të madh, sidomos nga qeveria angleze, për t’i mbyllur këto kampe përgatitjeje dhe për të arrestuar personelin më të rëndësishëm. Mund të pohohet se qeveria e Partisë Demokratike e tradhtoi kombin duke iu nënshtruar këtyre presioneve dhe duke vepruar kundër UÇK-së së sapolindur.

Qeveria e Partisë Demokratike nuk i respektoi të drejtat njerëzore të veprimtarëve kosovarë kur ajo ishte në pushtet. Themeluesi i UÇK-së, Adem Jashari, i cili do të martirizohej në mars të 1998-ës në Prekaz të Drenicës (në Kosovën qendrore), ndërsa krejt familja e tij do të shndërrohej në një legjendë që në ditët e para të luftës së Kosovës, ishte arrestuar dhe burgosur në Tiranë në vitin 1993. Zëdhënësi politik i UÇK-së Hashim Thaçi u burgos më 1996 dhe më vonë i shpëtoi për fije vdekjes kur shoku i tij i dhomës, gazetari Hysni Vulaj u vra nga një grup kriminelësh me pagesë. Zahir Pajaziti, komandanti karizmatik i grupit të Llapit, i cili u vra nga policia serbe më 1997, ishte arrestuar nga qeveria e Berishës më 1995.

****

Ushtria shqiptare në përgjithësi, (ose të paktën disa veprimtarë dhe oficerë atdhetarë) dolën shpëtimtarë të këtyre militantëve kosovarë dhe siguruan lirimin e tyre nga burgu. Ushtaraku i lartë dhe më vonë këshilltar i Berishës, Adem Çopani luajti një rol të rëndësishëm në lirimin e shumë veprimtarëve kosovarë, veçanërisht të Hashim Thaçit. Kjo çoi në një trysni të ndërkombëtarëve (në mënyrë të veçantë anglezët e qeverisë së Mejxherit) ndaj Berishës për të spastruar ushtrinë nga ata që supuzoheshin si komunistë dhe ekstremistë me pikëpamje enveriste, që besoheshin se ishin organizatorët e stërvitjes së përfolur ushtarake të kosovarëve duke përdorur teknikën dhe mjediset zyrtare shtetërore.

Në të vërtetë, shumë nga ata që ishin spastruar nuk ishin të tillë. Ata ishin thjesht atdhetarë të vërtetë që thoshnin se qeveria e PD-së ishte duke goditur ushtrinë si institucion. Ky ishte fillimi i krizës tërësore të ushtrisë shqiptare, e cila kulmoi me kaosin dhe poshtërimin e1997-ës. Ishte një ironi e fatit, që trysnia e perëndimorëve ndaj ushtrisë me qëllim për të frenuar nacionalizmin kosovar dhe ‘komunizmin’ çoi në shkatërrimin e një force që katër vjet më vonë, më 1997, mund të ishte në gjendje të shpëtonte qeverinë e Berishës.

Në të njëjtën kohë radhët e ushtarakëve të lartë ishin pjestuar nga spastrimet e përsëritura në vitet 1992-1994, për ata që kujtoheshin simpatizantë të komunizmit, kështuqë u shpërbënë si forcë serioze. Ky spastrim çoi në një pakënaqësi të madhe të oficerëve atdhetarë kundër qeverisë së PD-së; ata panë se Berisha ishte duke bërë pak ose hiç fare për të mbrojtur interesat e bashkëkombasve shqiptarë të Kosovës kundër Serbisë, ndërsa e kishte lënë Shqipërinë përgjithësisht të paaftë për të mbrojtur veten e saj. Në këtë kuptim, mbetej të bëhej edhe një hap i vogël për t’u përfshirë në lëvizjet e ndryshme ilegale të mbështetjes për UÇK-në që ishin duke u formuar në Shqipëri. Paratë ishin gjithashtu një faktor, pasi tregtia e vogël e armëve i ndihmonte ushtarët për të shtuar rogat e tyre të vogla.

******

Qëndrimi proserb i qeverisë së Mejxherit në Britani, lobi i djathtë shumë i fuqishëm i emigrantëve zogistë dhe Shoqata Anglo-Shqiptare njiheshin si përcaktuese dhe mbështetës ideologjikë të Berishës gjithandej nëpër botë. Vendet skandinave kishin lidhje të pakta me Shqipërinë, pavarësisht nga lobet vendore të dominuara nga refugjatët kosovarë, ndaj dhe i shikonin ngjarjet që po ndodhnin me një habi thuajse naive. Përkundrazi, në Francë tabloja shqiptare shfaqte një atmosferë të fortë të së majtës, pasi ky vend ishte i vetmi në BE i parapëlqyer nga shqiptarët me të cilin ata kishin patur marrëdhënie tregtare dhe diplomatike relativisht normale gjatë kohës së Hoxhës, e kishte edhe një qendër të studimeve shqiptare në Universitetin e Lionit.

Megjithëse Berisha kishte miqtë e tij në qarqet qeveritare të Parisit, kishte gjithashtu marrëdhënie miqësore me shërbimet e fshehta franceze dhe ishte ushqyer me idetë frankomasone në Francë, pjesa dërrmuese e opinionit ballkanik të Francës ishte kundër Berishës. Në Gjermani qeveria e tij kishte një mbështetje të fortë nga e djathta dhe disa qarqe katolike, por shumë kundërshtarë nga e majta dhe midis bashkësisë së madhe dhe më së shumti radikale të emigrantëve kosovarë, bënë që zhgënjimet ndaj tij të shtoheshin dhe të forcoheshin qëndrimet kundër Serbisë.

Në Departamentin amerikan të Shtetit qarkullonte një opinion se Shqipëria ishte pashmangshëm një ‘shtet i varur’ për shkak të varfërisë dhe prapambetjes ekonomike, ndaj dhe ishte subjekt i një lufte të paevitueshme për sundim midis Italisë dhe Greqisë gjatë krizës së pranverës së vitit 1997. Ndërkohë që të dy këto vende ishin aleate të NATO-s, nuk pati në këtë kohë ndonjë shqetësim të madh nga Shtetet e Bashkuara se cili vend do të bëhej dominues. Kjo mund të kuptohet nga distanca që mbajti Uashingtoni ndaj konfliktit social.

Megjithëse ndërhyrja në Bosnjë e dy vjetëve më parë kishte dhënë një shembull të suksesshëm për ruajtjen e paqes me anë të forcave amerikane në rajon, kishte patur (dhe ende kishte) zëra në elitën qeveritare që kundërshtonin përzierjen e mëtejshme në Ballkan, ndërsa dëshironin të gjenin një stretegji të largimit sa më shpejt të ishte e mundur nga Bosnja.

Pamjet televizive të CNN-it dhe të kanaleve të tjera nga Shqipëria u krijuan qytetarëve amerikanë përshtypjen e një vendi që dinte të shtinte me kallashnikovë dhe që po çmendej, ndaj dhe Shtetet e Bashkuara konsideruan se do të ishin të pashmangshme viktimat amerikane, nëse do të bëhej provë për ndonjë ndërhyrje, prandaj faktori ‘trupat e kthyera në qeska në atdhe’ luajti një rol të madh në vendimmarrje. Një pjesë e vogël ekspertësh amerikanë që e njihnin mirë rajonin thanë se humbja e qeverisë së Berishës ishte e pashmangshme, ndërsa paralajmëruan se në çdo rast ndërhyrja do të ishte një mundim i kot.



Më të lexuarat