Prapaskena

Drejtuesi i trenit të shpejtësisë shkon për 3 minuta në tualet duke lënë mjetin të udhëtonte me 150km/orë

Publikuar: 21/05/2021

Drejtuesi i një treni japonez të shpejtësisë së lartë është në pritje të masës së penalizimit pasi u zbulua duke dalë nga kabina e pilotimit për të shkuar në tualet teksa mjeti udhëtonte me shpejtësi rreth 150 km/orë.

Drejtuesi 36 vjeçar ishte pikasur teksa i linte kontrollin e trenit faturinos, që nuk është i kualifikuar për të drejtuar, për afro tre minuta.

Incidenti ndodhi teksa treni tip Hikari po udhëtonte në rajonin qendror të Shizuoka, njoftonin hekurudhat japoneze.

Largimi rastësor në tualet i shoferit mund të kishte kaluar pa u diktuar nga autoritetet, por gjithçka ndryshoi kur treni mbërriti një minutë me vonesë në destiancion, çka bëri që të nisnin hetimet, nga zyrtaret e vendit të famshëm boterisht për përpikmëri.

Shoferi që nuk është emëruar publikisht, pranoi largimin nga komandat prej asaj që ai quante dhimbje barku, duke i lënë faturinos kontrollin e trenit me 160 pasagjerë në bord.

Trenat japonezë të shpejtësisë së larta kontrollohen nga sisteme të kompjuterizuara, por drejtuesit njerëzore kërkohet të qëndrojnë në post për të zgjidhur situata të papritura. Ata nevojiten gjithashtu për të frenuar në mënyrë manuale apo për të mbajtur trenin brenda orareve, si dhe për të siguruar mbarëvajtjen.

Hekurudhat japoneze JR Central raportuan për incidentin dhe kërkuan falje.

Shoferët e këtyre trenave në rast emergjence duhet të koordinohen me qendrën e komandës ose të ndalojnë në stacionin më të afërt.

Ndërkohë vetë shoferi ka shpjeguar se “nuk dëshironte të shkaktonte vonesa duke ndaluar trenin, dhe nuk e raportoi incidentin sepse ishte turpërues”.

Hekurudhat japoneze njihen botërisht për përpikmërinë e tyre dhe aksidentet janë shumë të rralla.

Aksidenti i fundit i rëndë hekurudhor në vend ka qenë ai i vitit 2005 në Amagasaki, kur një tren pasagjerësh me shtatë vagonë doli nga shinat dhe vrau 106 pasagjerë e shoferin.



Më të lexuarat