Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës në periudhën mars-qershor 1981, kohë kur filluan demonstratat dhe protestat masive të popullit të Kosovës, i cili u ngrit për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tij legjitime, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera që përbënin Republikën Federative të Jugosllavisë. I gjithë ditari politik i udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë komuniste, ku ai dhe Tirana zyrtare e asaj kohe, i ndoqën me vëmendje ngjarjet e Kosovës dhe u prononcuan hapur publikisht, duke dalë hapur në mbrojtje të vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike, të cilët u ngritën për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tyre legjitime ashtu siç i kishin dhe gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera të Jugosllavisë së asaj kohe, dhe duke akuzuar Beogradin zyrtar për politikën diskriminuese që kishte ndjekur regjimi titist deri në atë kohë ndaj Kosovës dhe gjithë popullsisë shqiptare që jetonte nën Jugosllavi, dhe gjithashtu duke akuzuar edhe udhëheqjen e Kosovës si “pro-titiste”, dhe “të shitur tek udhëheqja e Beogradit”. Por ndryshe nga sa thoshte me fjalë, nuk e bëri kurrë me vepra dhe qëndrimi që mbajti Tirana zyrtare ndaj ngjarjeve të Kosovës në pranverën e ’81-it, duket se ishin thjesht sa për fasadë dhe vetëm për konsum publik në arendën ndërkombëtare, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës që nga viti 1949 kur Tirana zyrtare i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Marshallit Tito, e deri në fundin e viteve ’80-të, ndaj kosovarëve që vinin në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjeve të regjimit titist, ndoqi një politikë edhe më të egër ndaj tyre, duke i burgosur, torturuar dhe internuar, me akuzat shabllone “agjentë të UDB-së”!
“Ne duhet të bëjmë, gjithashtu, një analizë edhe të qëndrimeve që kanë mbajtur kancelaritë e ndryshme, domethënë të përcaktojmë e të njohim cilët ambasadorë të vendeve të botës, sidomos të vendeve të Evropës e në mënyrë të veçantë të atyre vendeve që kanë ose që mund të kenë influencë mbi qeverinë jugosllave, janë treguar pro nesh, kundër veprimeve të jugosllavëve dhe i kanë dënuar ato. Këtu të mos harrojmë se ka edhe nga ata që janë treguar asnjanës. Deri tani kemi parë se disa gazeta kanë shkruar më realisht në favor të çështjes së popullit të Kosovës dhe të qëndrimit tonë. Të tilla janë disa gazeta e gazetarë të Republikës Federale të Gjermanisë, pra gjermano perëndimorët, pastaj vijnë austriakët. Me Gjermaninë Perëndimore ne nuk kemi as lidhje diplomatike, ndërsa me Austrinë marrëdhëniet janë të mira. Austriakët mbajnë këtë qëndrim, sepse kanë kontradikta për çështje pakicash me jugosllavët, kurse gjermano perëndimorët nuk kanë. Prandaj ne duhet të gjykojmë pse Gjermania Perëndimore mban qëndrim më realist ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ndaj Shqipërisë, e cila e ka kritikuar kurdoherë dhe është në mosmarrëveshje me të”.
Kështu shkruan në mes të tjerash ish-udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në ditarin e tij të datës 18 maj të vitit 1981, duke u fokusuar në ngjarjet e Kosovës që asokohe ishte Krahinë Autonome në përbërje të Republikës Federative të Jugosllavisë, ku vetëm disa muaj pas vdekjes së Marshallit Josof Broz Tito (4 maj 1980), i cili e qeverisi atë vend për gati 35 vite me rradhë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavinë që ai la pas, do të fillonin trazirat e brendshme, siç ishin demonstratat e protestat masive të popullit të Kosovës që u ngrit për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tij legjitime, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera që përbënin Republikën Federative të Jugosllavisë, për të kaluar deri në thirrjet “Kosova Republikë”.
Ashtu siç do t’i shikojmë edhe nga këto dokumenta arkivore ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës, udhëheqësi kryesorë i Shqipërisë komuniste dhe Tirana zyrtare, i ndoqën me vëmendje ngjarjet e Kosovës dhe u prononcuan publikisht, duke dalë hapur në mbrojtje të vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike dhe duke akuzuar Beogradin zyrtar për politikën diskriminuese që kishte ndjekur deri në atë kohë ndaj Kosovës dhe gjithë popullsisë shqiptare që jetonte nën Jugosllavi, dhe gjithashtu duke akuzuar edhe udhëheqjen e Kosovës si “pro-titiste”, dhe “të shitur tek udhëheqja e Beogradit”.
Por ndryshe nga sa thoshte me fjalë, nuk e bëri kurrë me vepra dhe qëndrimi që mbajti Tirana zyrtare ndaj ngjarjeve të Kosovës në pranverën e ’81-it, duket se ishin thjesht sa për fasadë dhe vetëm për konsum publik në arendën ndërkombëtare, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës që nga viti 1949 kur i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Marshallit Tito, e deri në fundin e viteve ’80-të, ndaj kosovarëve që vinin në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjeve të regjimit titist, ndoqi një politikë edhe më të egër ndaj tyre, duke i burgosur, torturuar dhe internuar, me akuzat shabllone “agjentë të UDB-së”!
Po kështu, edhe pse në ngjarjet e pranverës së vitit 1981 e në vijim, Tirana zyrtare në dukje i përkrahu demonstratat e popullit të Kosovës dhe kërkesat e tyre “Kosova Republikë”, Enver Hoxha kurrsesi nuk do të donte që ajo gjë të bëhej realitet, pasi në një farë mënyre, do krijoheshin dy shtete shqiptare, ku Kosova do bëhej faktor dhe Shqipëria nën udhëheqjen e tij, do defaktorizohej në arenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, menjëherë pas atyre ngjarjeve, Tirana zyrtare intesifikoj përndjekjen dhe dhunën ndaj kosovarëve që ishin në Shqipëri, duke arrestuar dhe dënuar me burgime të gjata disa intelektualë kosovarë, si p.sh.: Selim Kelmendin, Estref Kelmendin, Shefqet Kelmendin, Naimk Lucin, etj., të cilët u arrestuan në vitin 1983, duke u akuzuar se: “kishin tentuar t’i bënin atentat udhëheqësit kryesor të Partisë, gjatë vizitës që ai kishte bërë në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë në vitin 1980”.
Dhe të gjitha këto, bëheshin për të ulur reputacionin e kosovarëve dhe Kosovës në sytë e shqiptarëve të atdheut amë. Gjithsesi këto mbeten objekt analizash që nuk janë objekt i këtij shkrimi, ku po publikojmë vetëm ditarin politik të Enver Hoxhës, që ai ka mbajtur në atë periudhë kohe, të cilin Memorie.al që nga muaji mars i këtij viti, vijon ta botoj të plotë në disa numra të rubrikës historike dossier.
Vijon nga numri kaluar
Ditari politik i Enver Hoxhës për ngjarjet e demonstratave dhe protestave të popullit të Kosovës në pranverën e 1981-it
Kurse sulmi serbomadh ndoqi dy objektiva: gjenocidin në Kosovë dhe sulmin kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Me një të’goditur ai donte të vriste dy zogj, por vrau veten dhe plaga do të ketë konsekuenca të rënda. Politika famëkeqe plot bujë dhe falsitet u demaskua. Çirakët s’e ndoqën dot ustanë që u vdiq dhe vazhdojnë t’i këndojnë himne të padëgjuara kurrë në botë për një person që e solli Jugosllavinë në buzë të greminës. Kultet e pompuara me zor marrin fund shpejt dhe me lehtësi. Dhe ata që ishin të gënjyer nga parullat e politikës titiste “botërore dhe të brendshme” u zhgënjyen. “Madhështia” jugosllave, që rronte në ëndërrime se ishte bërë “kërthiza” e botës, u bë pluhur e hi.
4. Megjithatë ne kemi menduar dhe mendojmë se duhet shpëtuar Jugosllavia. Por këtë vepër të madhe nuk mund ta bëjnë as UDB-ja dhe as njerëz si Hërljeviçi, Stamboliçi, Rankoviçi dhe Vukmanoviçi. “Zëri i popullit”, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së, shkroi tre artikuj bazë, ku fliste të vërtetën dhe bënte thirrje për moderacion, për gjakftohtësi, për meditime, që të uleshin gjakrat dhe të vendosej qetësia në Kosovë, të rishikoheshin me drejtësi dhe me objektivitet kërkesat e shqiptarëve. Organi i Komitetit Qendror të PPSH-së theksonte shqip dhe botërisht se “Shqipëria nuk kishte ndërhyrë dhe nuk do të ndërhynte në punët e brendshme të Jugosllavisë”, se “nuk kishte bërë kurrë rivendikime territorial”, se “populli shqiptar nuk ishte për minimin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe se do të luftonte krah për krah me popujt e Jugosllavisë, në qoftë se këta atakoheshin, nga kushdo qoftë”.
U duk që ne thoshim gjëra të vërteta dhe jetike, por në shkretëtirë. Gjithë udhëheqja jugosllave e të tëra rangjeve dhe e të tëra llojeve dhe diplomacia jugosllave gjykonin dhe flisnin me kokën dhe me gjuhën e policisë sekrete jugosllave nën drejtimin e dukshëm të serbomëdhenjve. Ne ruajtëm gjakftohtësinë përpara korit të turpshëm anembanë Jugosllavisë që çirrej kundër shqiptarëve: “Eureka”, e gjetëm fajtorin! Por kori ishte fals dhe opinioni botëror, deri dhe ato shtete që s’na e duan të mirën, na dhanë hak neve dhe jo jugosllavëve. Vetëm armiqtë e betuar të popujve, revizionistët sovjetikë, heshtën, kur gjithë bota fliste. Pse heshtin ata, do të kthehemi një herë tjetër dhe do të zbulojmë fijet e komplotit ruso-serbomadh. Përpara kësaj disfate të bujshme, kryepolici Hërljeviç organizoi me njerëzit e tij, në mungesë të sekretarit të shtetit për Punët e Jashtme të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë Verhovec dhe pa dijeninë e ambasadorit jugosllav në Tiranë, Komatina, ngjarjen në ambasadën jugosllave në vendin tonë, për “të lyer pak me flori” bakrin e tij, të cilit i doli kallaji.
Ekspertët tanë, tok me nëpunës të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, të thirrur nga ambasadori jugosllav, vajtën në vend dhe, në praninë e gjithë personelit të ambasadës jugosllave, bënë imtësisht ekspertizën, të cilën Ministria jonë e Punëve të Jashtme ia dorëzoi zotit Komatina. Kjo përgjigje dhe kjo ekspertizë nuk u pëlqeu jugosllavëve. Ata kërkuan të Vinin në Tiranë ekspertët e tyre, që ne i lejuam. Por kanë kaluar kaq ditë dhe ata s’po duken. Në vend të tyre u duk artikulli në fjalë i gazetës së Beogradit “Politika”. Ne i themi gazetës “Politika”, organ i UDB-së, në përgjigjen tonë ekskludohej kategorikisht që lëndët plasëse, dy llokume TNT speciale dhe me djegie speciale, që s’ka Shqipëria, të ishin hedhur nga jashtë. Ne, për politesë, nuk deklaruam se ato janë vendosur nga brenda. Jugosllavët s’deshën të reflektonin në deklaratën tonë.
Atëherë, meqenëse ju kërkoni të na e hidhni fajin neve për të gënjyer opinionin botëror, ne po ju themi se në ambasadën jugosllave në Tiranë gjenden dy veta dhe një e tretë me origjinë ruse që i kanë bërë këto gjëra. Emrat i gjeni vetë. Theksojmë, gjithashtu, se çdo gjë që ka lidhje me ngjarjen e 23 majit në ambasadën jugosllave është e dokumentuar, e fotografuar dhe e filmuar. Ne i themi, po ashtu, gazetës «Politika» se faktet e përditshrne tregojnë se fryma e Helsinkit ishte një flluskë sapuni. Këto fakte i dhanë të drejtë Shqipërisë socialiste. Po ashtu me fakte do t’i tregojmë botës se Shqipëria socialiste nuk është një rrezik për Evropën, siç pretendoni ju, kasnecë të Beogradit, por është Jugosllavia titiste një rrezik për Ballkanin, për Evropën dhe për botën.
E HENE 1 QERSHOR 1981
MBI BASHKEPUNIMIN E FSHEHTE SOVJETO-SERBOMADH
Teza për artikullin
Për ngjarjet tragjike të Kosovës, të shkaktuara nga klani serbomadh i Beogradit, revizionistët sovjetikë s’folën fare, sikur të mos kishte ngjarë asgjë. Gjithë bota foli, raportoi, komentoi, kurse sovjetët dhe bullgarët jo. Pse vallë? Për t’i thënë botës: a. “Ne jemi nga ata që nuk përzihemi në punët e brendshme të të tjerëve, siç po na akuzoni vazhdimisht”. b. “Le t’i zgjidhin vetë shqiptarët dhe jugosllavët punët e tyre”. Këto janë dy aspekte formale për sy e për faqe të sovjetiko-bullgarëve, që e shtynë Jugosllavinë të mbyllë gojën kundër tyre dhe na bën ne shqiptarët t’ua çjerrim këtë maskë. Si qëndron realiteti që ne duhet ta demaskojmë? Sovjetikët janë shumë të interesuar që marrëdhëniet në mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë të acarohen, mundësisht deri në kulm.
Një situatë e tillë u sjell sovjetikëve një sërë avantazhesh: Dobëson Republikën Socialiste Federative të. Jugosllavisë, që është në shkoqitje dhe në kontradikta të thella nacionale, ekonomike, politike dhe shtetërore; dobëson edhe Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, që është një bastion i papërkulur kundër revizionizmit modern sovjetik, imperializmit amerikan dhe reaksionit botëror; prish këtë lloj stabiliteti në Ballkan dhe kërcënon me një turbullirë dhe pasiguri krahun juglindor të NATO-s.
Në këtë lojë të fshehtë sovjetikët mbështetin klanin serbomadh të Beogradit kundër shqiptarëve të Jugosllavisë dhe kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. S’flasin për çka ngjet në Kosovë, që të mbështetin klanin serbomadh dhe të mos dobësohet Serbia dhe kjo të imponojë hegjemoninë e saj mbi klanin tjetër slloveno-kroat që është properëndimor (pro SHBA-së).
Klani serbomadh është për centralizmin burokratik. Klani kroato-slloven është për vetadministrimin titist. Sistemi vetadministrues e ka dobësuar ekonomikisht dhe politikisht klanin serbomadh. Rankoviçi dhe klani i tij u likuiduan. Sovjeti e mbështeti në kohën e tij klanin e Rankoviçit derisa, në një moment, e quajti këtë “më pozitivin”, “kënduesin e himnit sovjetik”. Pas vdekjes së Titos klani serb kërkon revanshin kundër klanit kroato-slloven. Në mes të dy klaneve më të fuqishme ka kontradikta të thella që do të thellohen akoma më shumë. Sovjetët janë së toku në komplot me serbomëdhenjtë. Heshtja e sovjetëve për shtypjen e shqiptarëve nga serbët ndihmon klanin serb për të dobësuar klanin kroato-slloven dhe për të ndryshuar sistemin vetadministrues në një sistem borgjez burokratik.
Bullgarët dhe çështjen maqedone sovjeti i ka në zap, i ka si një pion që e shtyn ose e tërheq sipas koniukturave që do të krijohen. Këtë komplot të madh dhe të egër sovjeto-serbomadh duhet ta demaskojmë. Ai është nga më të rrezikshmit për Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe për Ballkanin. Opinioni botëror në përgjithësi dhe kancelaritë e botës janë pro “Republikës së Kosovës” dhe aprovojnë qëndrimet tona, jo për sytë tanë të bukur, por se janë kundër këtij komploti, se janë për këtë statukuo në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, se janë jo për hegjemoninë serbe. “Republika e Kosovës” e dobëson Republikën Socialiste të Serbisë dhe forcon statukuonë e Federatës Jugosllave, ajo u prish planet strategjike sovjetikëve.
E MARTE 2 QERSHOR 1981
EMIGRANTE KOSOVARE, SERBET JU QUAJNE TERRORISTE
Shënime
Historia dhe arsyet e emigracionit ekonomik shqiptar nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Mjerimi ekonomik në vatrat tuaja dhe papunësia e madhe kronike dhe pa shpresa shërimi ju detyroi ju, ose ju detyruan të emigronit në cilindo shtet të botës që ju pranonte në punët më degraduese, pra, që ju pranonte si shërbëtorë dhe si skllevër të kohëve moderne.
Josip Broz Titoja e ka inkurajuar emigracionin jashtë dhe të papunët në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë i kategorizoi në dy grupe: të papunët e thjeshtë të brendshëm dhe të papunët emigrantë, që i dëbonte jashtë të shpërndarë në të katër anët e botës, të cilët edhe i hiqte qafe, edhe i shfrytëzonte. Regjimi i falimentuar titist kishte nevojë për kredi, kishte nevojë për devizë. Duke marrë kredi ai u mbush deri në grykë në borxhe. Klikat në fuqi vodhën nga këto sa deshën dhe vendin e shitën te të huajt. Ato krijuan devizë me turizmin dhe popullin e degjeneruan, vendasit i hodhën jashtë në emigracion për t’u bërë skllevër të të huajve dhe për të marrë devizë prej tyre. Regjimi i falimentuar titist nënshkroi marrëveshje të veçanta me shtetet ku ju dërgoi t’ju thithin djersën dhe gjakun tuaj. Ai krijoi kudo edhe konsullatat e veta që t’ju kontrollonte dhe t’ju kërcënonte.
Regjim i ri dhe metodik i skllavërimit shpirtëror dhe trupor. Emigracioni më i madh jugosllav është ai shqiptar. Kjo tregon mjerimin e madh ekonomik të shqiptarëve të Jugosllavisë, por tregon edhe një veprim të madh politik të regjimit titist — të shpartallojë pjesën e kombit shqiptar që është lënë me forcë brenda kufijve jugosllavë, ta hallakatë atë nëpër botë me anën e dëbimit me forcë dhe në masë dhe ta dëbojë nga tokat e veta me anë të emigracionit. Politika e vjetër e kralëve serbë vazhdon me kralët e rinj titistë. Në çdo vend të botës ku ju rropateni, o shqiptarë, regjimi titist ka ngritur edhe klube ku ju detyron të veni të shkruheni. Në to ju indoktrinojnë dhe ju kërcënojnë që, po nuk bëtë siç ju këshillon klubi (UDB-ja), atëherë ju heqin pasaportën dhe ju konsiderojnë si pa atdhe, me masa UDB-ashe ju kërcënojnë edhe kundër familjeve tuaja në atdhe. Atdheun tuaj, Kosovën, serbomëdhenjtë e mbytën në gjak. Ata ju vranë në mënyrë barbare shtazarake motrat, gratë, vëllezërit, baballarët dhe kalamanët tuaj, sepse këta kërkonin të drejtat e tyre.
Burgjet e Kosovës janë plot, njerëz të gjymtuar nga torturat ka atje plot, shtetrrethimi vazhdon i egër, por Kosova dhe gjithë shqiptarët që jetojnë në trevat e tyre u rezistojnë dhe do t’u rezistojnë edhe më me forcë terrorit dhe dhunës serbomadhe. Pse ju jeni solidarë dhe mbroni popullin tuaj, propaganda jugosllave ju cilëson “terroristë”. Ju mos u tutni nga sharjet e serbëve. Po të mos mbroni vëllezërit dhe motrat tuaja, po të mos mbroni kombin tuaj, as që mund të quheni shqiptarë. Ju jeni kurdoherë korrektë e të drejtë me ligjet e vendit ku punoni, por popullit të këtyre vendeve duhet t’u thoni se “barbarizmat e serbomëdhenjve ne nuk mund t’i durojmë më. Na kanë shpallur luftë, ne po u përgjigjemi”. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë i ka mbrojtur dhe do t’i mbrojë të drejtat e vëllezërve shqiptarë që jetojnë në Jugosllavi. Po të mos e bëjmë këtë, ne do të bëjmë një krim dhe do të jemi tradhtarë të kombit tonë. Këtë le ta dinë jugosllavët dhe gjithë bota, bile edhe gazeta franceze «Lë Mond», edhe gazeta italiane «La Stampa», të shitura te jugosllavët. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm