Prapaskena

Avokati i njohur: Si më arrestoi Berisha, se i thashë vrasës!

Publikuar: 20/05/2021

Avokati Idajet Beqiri i ftuar në Shqip në DritareTv rrëfeu tri rastet kur u arrestua nga Berisha në vitet ’90. Beqiri tha se në disa raste u desh ndërhyrja e të huajve që ai të lirohej nga burgu dhe të fitonte pafajësinë.

“Unë kam disa ngjarje personale me Berishën. Kam qenë në shënjestrën e tij shumë herët. Partia ime lindi fill pas Partisë Demokratike. Në dhjetor të ’90-ës u krijua PD-ja dhe në janar Partia e Unitetit Kombëtar. Kishim një alternativë opozitare, por u ndamë që nga viti ‘91 sepse shqiptarët thonë që dielli duket që në mëngjes. Ne grupi që drejtonim gazetën “Kombi”, që ishte gazetë opozitare sidomos kundër Berishës, e stigmatizuam herët atë si vrasës të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe ky kryeartikull që shkrova vetë për gazetën “Kombi” në 1993-shin më dha goditjen e rëndë sepse Berisha më arrestoi atëherë si kryetar i partisë dhe drejtor i kësaj gazete. Rastisi që pak ditë para u arrestova unë dhe më pas Fatos Nano. Departamenti Amerikan i Shtetit më konsideroi si të burgosurin e parë politik në kohën e demokracisë së Saliut. Unë qëndrova 6 muaj në burg. Artikull i im u konsiderua si shpifës atëherë se quajta presidentin vrasës. Unë i thashë vrasës i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, sepse ai bëri një deklaratë të rrezikshme për kohën e atëhershme. Shkoi Fatos Nano si kryetari PS-së në Shkodër ku do bënte një miting në teatrin e Shkodrës dhe nuk e linin simpatizantët e PD-së sepse Berisha u kishte thënë të mos e qasnin Nanon në Shkodër. Ata nuk e qasnin, edhe me dhunë. Meqë u ushtrua dhunë ndaj Nanos dhe mezi e nxorën nga Shkodra, kjo u bë problem dhe Berisha bëri deklaratën skandaloze: “Pse vete ai në Shkodër? Nuk e di që Shkodra nuk i do socialistët?” Një ndarje vëllavrasëse. Për këtë arsye bëra këtë shkrim. Por kjo pati pasoja edhe më vonë. Në zgjedhjet e 1996-ës unë isha edhe si kryetar partie por edhe si jurist sepse e njihja mirë ligjin, edhe kur pashë ligjin elektoral që atë bënë u thashë edhe socialistëve: “Me këtë ligj do t’i dhunojnë dhe marrin në tavolinë zgjedhjet.

S’duhet ta pranojmë këtë kod zgjedhor. Nëse vemi me këtë Kod Zgjedhor në zgjedhjet e 1996-ës ne është më mirë t’i bojkotojmë.” Ne thamë që nëse miratohet ky kod, Partia e Unitetit Kombëtar do t’i bojkotonte këto zgjedhje dhe do t’i bënte thirrje popullit që t’i bojkotojnë. Nuk kaloi pak ditë dhe unë u arrestova sërish në grupin e udhëheqësve të lartë komunistë dhe u dënova 15 vjet burg nga Berisha. U arrestova bashkë me Ramiz Alinë. U konsiderova edhe unë i komunist, pa qenë komunist, nuk isha as anëtar partie. Ajo ishte një tragjedi e vërtetë edhe për jetën familjare time. Një dënim i padrejtë. Sepse ai dhe nuk dëgjonte. Një njeri i pagdhendur në kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse edhe DASH-i më quajti të burgosur politik dhe dolën me deklaratë. Amnisti Internacional më konsideroi të burgosur politik dhe bënte thirrje dhe vinin delegacione që kërkonin lirimin tim. Thoshin: “Ju hiqeni për demokratë, përmbysët regjimin e kaluar, dhe tani të njëjtën gjë bëni vetë. Ai nuk përfillte asgjë. U deshën ngjarjet e ’97-ës, që unë dola nga burgu dhe mora pafajësinë, e më shpërblyen pastaj. Kam shumë gjëra personale me Berishës. Më e rënda është ajo e 1995-ës kur më arrestuan edhe mua edhe të ndjerin Moikom Zeqo, ish-deputet atëherë, një figurë e shkëlqyer intelektuale. Dhe ne po shkonim për një veprimtari në Ulqin dhe këta menduam që ne shkonim për të survejuar çfarë trafiku armësh bënte Berisha në veri të Shqipërisë në interes të Serbisë dhe atëherë bëhej luftë kundër Bosnjës. Ne i kemi konstatuar ato situata dhe i pamë vetë çfarë bëhet, si thyhej embargo dhe si Berisha ndihmonte Serbinë për të bërë atë luftë të padrejtë dhe shfarosëse kundër myslimanëve boshnjakë, por edhe në Kosovë gjithashtu. Nën ndikimin e tij sepse çdo lloj bisede telefoni që bënim ne ishte në vëzhgim të SHIK-ut të Shqipërisë që për fat të keq bashkëpunonte me shërbimet sekrete të Serbisë. Ne sapo u futëm në Ulqin na arrestuan bashkë me Moikomin dhe bëmë burg dhe në Mal të Zi. Shyqyr që pati ndikim ndërkombëtar që na liruan dhe na sollën në Shqipëri.”, tha Beqiri.



Më të lexuarat