Autoritetet doganore italiane të Guardia di Finanzas, kanë sekuestruar 3 flakonë të vaksinës anti-Covid “AstraZeneca”, të cilat po transportoheshin në mënyrë të paligjshme nga Italia drejt Shqipërisë.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane, të cilat zbulojnë se autoritetet doganore, i kanë konfiskuar ato dirë ditë më parë në datën 5 maj.
“Dy shoferë gjermanë kamionësh, me origjinë iraniane, 70-vjeçari Abdolrahim Orangui Asr dhe 73-vjeçari Ghassem Farhadi, ishin gati të nisnin vaksinat nga porti i Barit, përmes një anije për në Shqipëri”, – raporton agjencia italiane e lajmeve “Ansa”.
Në një çantë frigoriferi me pije freskuese të mbushur me akull, ata kishin futur edhe tre shishka të vaksinave të padëmtuara të kompanisë “AstraZeneca”. Prokuroria e Barit, kërkoi dhe mori vërtetimin e konfiskimit dhe tani po heton për të vërtetuar se çfarë ka ndodhur.
Kush ishin porositësit e vaksinës? Kush mundësoi marrjen e tyre? Pse po mbërrinin në Shqipëri transportuar nga shtetas me origjinë iraniane? Këto pyetje priten të marrin përgjigje nga hetuesit italianë.
Nga numri i grupeve të tre ampulave, Prokuroria do të përpiqet të rindërtojë origjinën e vaksinës, teksa po gjurmohet se nga kanë ardhur.
Sipas “ANSA”-s, dy të dyshuarit u kontrolluan ndërsa hipnin në anijen motorike “Aurelia” për në Shqipëri.
Në një qese me pije freskuese, “e fshehur mirë nën akull”, siç lexohet në proces-verbalin e konfiskimit, u gjetën në tre shishe qelqi “që mbanin etiketa me fjalët” vaksina “AstraZeneca” 5ml.
“Të gjitha mbanin të njëjtin numër ABW 330″, i cili skadon në korrik 2021 dhe ishte ekuivalente në 30 doza vaksinash.
Ndërkohë, të dy shoferët e kamionëve janë lënë të lirë, por të dy do të procedohen penalisht për transport të pajisjeve dhe mallrave të vjedhura.