Në të njëjtën ditë kur sulmet ajrore izraelite vranë 10 anëtarë të një familje të vetme dhe rrafshuan një ndërtesë 11-katëshe që strehonte zyrat e mediave të Al Jazeera dhe The Associated Press, si dhe apartamente banimi, presidenti amerikan Joe Biden ripohoi mbështetjen e tij të qartë për Izraelin.
Sipas Al Jazeera, Shtëpia e Bardhë tha të shtunën se presidenti i SHBA-së telefonoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për herë të dytë që nga fillimi i krizës dhe “riafirmoi mbështetjen e tij të fortë për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur nga sulmet me raketa nga Hamas dhe grupe të tjera terroriste në Gaza”.
Dhe siç vlerëson mediumi në fjalë, ndërsa bën thirrje për një de-përshkallëzim, Uashingtoni nuk ka arritur të kërkojë një armëpushim të menjëhershëm ose të shqiptojë një fjalë kritike drejtuar Izraelit.
Ndërkohë shkruan më tej, Al Jazeera, ligjvënësit progresivë të SHBA-së, grupet e avokimit të Palestinës dhe të tjerët janë duke shprehur zhgënjim me politikën e Biden.
Por pozicioni i presidentit amerikan nuk është unik midis një vargu të gjatë të presidentëve amerikanë të cilët kanë treguar mbështetje gati të pakushtëzuar për Izraelin në kohë konfliktesh.
Në këtë drejtim, Al Jazeera ka bërë një përmbledhje të reagimeve të presidentëve amerikanë, përkatësisht mbështetjen e tyre në dekada për Izraelin.
Maj 2021
Biden ka lëshuar dy herë deklarata duke rikonfirmuar angazhimin e tij për “të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten” kundër raketave të shkrepura nga Gaza gjatë ofensivës së vazhdueshme të Izraelit në territor.
Zyrtarët izraelitë thonë se mijëra raketa janë qëlluar nga Gaza drejt Izraelit, ku 10 vetë janë vrarë deri më sot, ndërsa një breshëri sulmesh ajrore izraelite në territorin e rrethuar kanë vrarë të paktën 188 palestinezë dhe plagosur qindra të tjerë.
Zyrtarët e lartë të administratës së Biden kanë theksuar “mbështetjen e tyre të fortë për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten” ndërsa thonë se SHBA po bën presion për një “de-përshkallëzim”.
SHBA bllokoi gjithashtu një deklaratë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që do të bënte thirrje për t’i dhënë fund dhunës.
Maj 2018
Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump – një mbrojtës i vendosur i Izraelit dhe kryeministrit të vendit, Netanyahu – hodhi poshtë çdo përpjekje për të kritikuar Izraelin për vrasjen e dhjetëra protestuesve në Gaza në maj të vitit 2018.
Palestinezët po merrnin pjesë në një tubim “Marshi i Madh i Kthimit” kur forcat izraelite hapën zjarr mbi turmën, kujton Al Jazeera, përcjell Telegrafi.
Dhuna vdekjeprurëse përkoi me hapjen e Ambasadës së SHBA-së në Jerusalem, pasi administrata Trump e zhvendosi atë nga Tel Aviv në një lëvizje që provokoi zemërimin e palestinezëve.
“Përgjegjësia për këto vdekje tragjike mbetet plotësisht e Hamasit. Hamas po provokon qëllimisht dhe në mënyrë cinike këtë përgjigje dhe siç tha Sekretari i Shtetit, Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten”, tha në atë kohë zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah.
Korrik – gusht 2014
Izraeli kreu 10 ditë bombardime ajrore të Rripit të Gazës në korrik të vitit 2014 përpara se të niste një ofensivë tokësore në territor.
Më 18 korrik, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama u tha gazetarëve se ai kishte “rikonfirmuar [mbështetjen e tij të fortë] për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten” në një telefonatë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Asnjë komb nuk duhet të pranojë që raketat të hidhen në kufijtë e tij, ose terroristët të ‘tunelohen’ në territorin e tij”, kishte thënë Obama.
“Unë gjithashtu e bëra të qartë se Shtetet e Bashkuara, dhe miqtë dhe aleatët tanë, janë thellësisht të shqetësuar për rreziqet e përshkallëzimit të mëtejshëm dhe humbjen e jetëve të më të pafajshmëve”, kishte shtuar Obama.
Më shumë se 1,500 civilë palestinezë, përfshirë më shumë se 500 fëmijë, u vranë në atë operacion ushtarak izraelit në Gaza, sipas KB.
Nëntor 2012
Më shumë se 100 civilë palestinezë u vranë kur Izraeli filloi një ofensivë ushtarake në Gaza në nëntor të vitit 2012 pasi vrau komandantin ushtarak të Hamasit, Ahmed Jabari.
Obama edhe një herë mbrojti veprimet e Izraelit: “Nuk ka asnjë vend në tokë që do të tolerojë raketat që bien mbi qytetarët e saj nga jashtë kufijve të tij. Pra, ne jemi plotësisht mbështetës të së drejtës së Izraelit për të mbrojtur veten nga raketat që bien në shtëpitë e njerëzve”.
Dhjetor 2008 – janar 2009
Ofensiva e Izraelit në Gaza, e quajtur “Operacioni Cast Lead”, filloi në mëngjesin e 27 dhjetorit 2008. Kur u deklarua e mbyllur mbi 22 ditë më vonë, zjarri izraelit kishte vrarë rreth 1,400 palestinezë, kryesisht civilë dhe kishte rrafshuar pjesën më të madhe të territorit me terren, thoshte Amnesty International, shkruan Al Jazeera.
Por më 2 janar, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, George W Bush – i cili ishte në javët e fundit të kohës së tij në Shtëpinë e Bardhë – për situatën e krijuar i vuri fajin Hamasit.
“Ky shpërthim i fundit i dhunës u nxit nga Hamas – një grup terrorist palestinez i mbështetur nga Irani dhe Siria që kërkon shkatërrimin e Izraelit”, tha Bush, siç raportohej nga NBC News në atë kohë.
Ai gjithashtu tha se çdo armëpushim “që çon në sulme me raketa ndaj Izraelit nuk është i pranueshëm”.
2000-2005
Një vizitë ndezëse nga politikani izraelit Ariel Sharon në Xhaminë Al-Aqsa të Jerusalemit në shtator të vitit 2000 çoi në protesta masive palestineze dhe konfrontime me forcat izraelite të sigurisë që lanë të vdekur shtatë palestinezë.
Intifada e Dytë, e njohur gjithashtu si Intifada Al-Aqsa, u nis.
Të dy grupet e armatosura palestineze – të cilat filluan të vendosnin bomba vetëvrasëse – dhe Izraeli u akuzuan për krime lufte dhe vrasje pa kriter të civilëve gjatë kryengritjes.
Izraeli nisi sulmet ajrore dhe inkursionet në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Të paktën 3,000 palestinezë dhe 1000 izraelitë u vranë në luftime, kujton tutje Al Jazeera, përcjell Telegrafi.
Presidenti i sapozgjedhur George W Bush nuk miratoi operacionet e hershme izraelite, por u rreshtua ngushtë me Sharon pas sulmeve të 11 shtatorit dhe “Luftës kundër Terrorizmit”.
Aleanca u pa se i dha Izraelit një vend të gjerë për veprime ushtarake, ndërsa në mënyrë disproporcionale fajësonte palestinezët për çdo dhunë.
Bush gjithashtu mbështeti refuzimin e Sharon për t’u angazhuar me presidentin palestinez Yasir Arafat.
Në një fjalim të vitit 2002, Bush u bë presidenti i parë i SHBA-së që mbështeste publikisht një shtet palestinez, por ai tha se një mbështetje e tillë ishte e kushtëzuar nga një rishikim i plotë palestinez i udhëheqjes së tij, institucioneve dhe rregullimeve të sigurisë.
“Sot, autoritetet palestineze po inkurajojnë, e nuk po e kundërshtojnë terrorizmin”, tha ai. “Kjo është e papranueshme. Dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesin krijimin e një shteti palestinez derisa udhëheqësit e saj të përfshihen në një luftë të qëndrueshme kundër terroristëve dhe të shpërbëjnë infrastrukturën e tyre”.
1996
Presidenti amerikan Bill Clinton mbrojti Izraelin pasi ushtria e tij nisi një sulm mbi një kompleks të KB në Qana, në Libanin jugor, ku qindra civilë ishin strehuar në prill të vitit 1996. Sulmi vrau më shumë se 100 civilë dhe plagosi qindra të tjerë.
Izraeli tha se sulmi u krye gabimisht, por një raport në Këshillin e Sigurimit të KB zbuloi se “ndërsa mundësia nuk mund të përjashtohet plotësisht, modeli i ndikimeve në zonën e Qana e bën të pamundur që granatimet e kompleksit të Kombeve të Bashkuara të ishin rezultati i gabimeve teknike dhe/ose procedurale”.
1987-1991
Një seri protestash, grevash dhe bojkotesh përcaktoi Intifadën e Parë, me forcat izraelite të sigurisë të kritikuara për goditje joproporcionale, përfshirë përdorimin e zjarrit të drejtpërdrejtë kundër palestinezëve.
Kryengritja shpërtheu ndërsa presidenti i SHBA-së, Ronald Reagan kishte filluar të forconte rolin e Izraelit si një “aset unik strategjik”, duke e bërë ndihmën për Izraelin më të disponueshme dhe duke i dhënë vendit qasje të veçantë në teknologjinë ushtarake amerikane.
Ndërsa ishte përgjithësisht e pafavorshme për të kritikuar Izraelin, administrata e Reagan në vitin 1987 dënoi forcat e sigurisë së Izraelit për “masa të ashpra sigurie dhe përdorim të tepruar të municioneve”.
Pasardhësi i tij, George HW Bush, mbajti një qëndrim relativisht më të fortë me Izraelin, duke shtyrë një vonesë të garancive të huasë në këmbim të ndaljes së ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të okupuar dhe pjesëmarrjes në Konferencën e Paqes në Madrid në 1991.
1982
Reagan pranoi që Izraeli nuk dha asnjë paralajmërim kur ushtria e tij pushtoi Libanin Jugor në qershor të vitit 1982 midis luftimeve ndërkufitare.
Kur u pyet për dështimin e SHBA-së për të dënuar veprimin, ose ndërprerë shitjen e armëve në Izrael, Reagan u tha gazetarëve, “Situata është kaq e komplikuar dhe qëllimet që ne do të donim të ndiqnim janë ato që diktojnë sjelljen tonë tani”.
Megjithatë, ai mohoi t’i jepte Izraelit “dritën e gjelbër” për pushtimin, duke thënë, “Ne u kapëm në befasi si kushdo dhe ne donim një zgjidhje diplomatike dhe besonim se mund të kishte qenë një e tillë”.
1973
Në tetor të vitit 1973, disa kombe arabe të udhëhequra nga Egjipti dhe Siria filluan një ofensivë ushtarake në një përpjekje për të rimarrë gadishullin e Sinait dhe lartësitë Golan, të cilat Izraeli kishte marrë gjatë luftës së vitit 1967 dhe vazhdoi të pushtonte.
Pas një kundërsulmi të dështuar, SHBA-të filluan të transportonin armë në drejtim të Izraelit, me presidentin e SHBA-së, Richard Nixon “si meritor” të vlerësuar nga kryeministrja e atëhershme e Izraelit, Golda Meir, si përshpejtues të transferimit.
Armët shihen gjerësisht se kthejnë rrjedhën e konfliktit, të cilin Nixon i tha Kongresit ishte domethënës në një konfrontim më të gjerë të Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik, i cili mbështeste vendet arabe.
1967
Në qershor të vitit 1967, Izraeli filloi një sulm ajror ndaj Egjiptit që filloi të ashtuquajturën Luftë Gjashtë Ditore.
Konflikti, i cili përfshiu gjithashtu Jordaninë dhe Sirinë, pa Izraelin të merrte pjesë të mëdha toke, duke përfshirë Bregun Perëndimor dhe Gaza, dhe Lartësitë Siriane Golan.
Presidenti i SHBA-së, Lyndon B Johnson rikujton në një pjesë të New York Times të vitit 1971: “Unë mund ta kuptoj se njerëzit mund të vendosin të veprojnë vetë kur forcat armiqësore mblidhen në kufijtë e tyre dhe ndërpresin një port të madh, dhe kur udhëheqësit politikë antagonistë vazhdojnë me kërcënimet për të shkatërruar kombin e tyre”.
“Sidoqoftë, unë kurrë nuk e kam fshehur keqardhjen time që Izraeli vendosi të lëvizte ashtu kur e bëri”.
1948
Më 14 maj të vitit 1948, kreu i Agjencisë Hebraike shpalli krijimin e shtetit të pavarur të Izraelit pasi mbaroi mandati kolonial i Mbretërisë së Bashkuar mbi territorin.
Presidenti i SHBA-së, Harry S Truman menjëherë njohu kombin e ri sovran.
“Kjo qeveri është informuar se një shtet hebre është shpallur në Palestinë dhe njohja është kërkuar nga qeveria e përkohshme e saj”, lexohet në një deklaratë të nënshkruar nga Truman. “Shtetet e Bashkuara e njohin qeverinë e përkohshme si autoritetin de facto të Shtetit të ri të Izraelit”.