Bledar Habili pronar i kompanisë “MC FOOD”, që u përfol si posedues i një sasie të madhe kokaine që u kap këtë mesditë në Lipjan të Kosovës, thotë për Fax News se ai nuk ka asnjë lidhje me trafikun e drogës.
Habili thotë se ka pak muaj që e ka regjistruar biznesin e tij dhe nuk është ende funksionale si kompani. Në lidhje me një lajm që ka dalë në mediat kosovare fillimisht, Habili mohon kategorikisht që kamioni i ndaluar me kokainë në Lipjan të jetë i kompanisë së tij. Ai tha po ashtu se nuk është kontaktuar deri tani nga autoritetet në Kosovë.
“Nuk është në pronësi tonë kamioni, nuk ka lidhje fare me ne. E kam regjistruar aktivitetin në QKR, ende se kam vënë në funksion. Ata që kanë shkruar emrin do të mbajnë përgjegjësi pasi do ta ndjek këtë çështje. Ky kamion nuk është në pronësinë e firmës sime sepse aktiviteti i firmës ende nuk ka nisur.
Shoqëria ime nuk ka asnjë kamion. Ne jemi hapur para disa muajsh dhe që atëherë atëherë nuk kemi asnjë kamion apo makinë. E vetmja e përbashkët është emri me kompaninë që është lakuar. Një është në Shqipëri një në Kosovë. Adresa jonë është në Kavajë, nuk kemi asnjë adresë në Kosovë”, shprehet ai në komunikim me gazetarin e Fax News Fatjon Gjinaj.
Mesditën e sotme u kap në Kosovë një sasi e madhe kokaine, e cila ishte e fshehur në një kamion me mish, që kishte kaluar fillimisht në portin e Durrësit, dhe u zbulua në sajë të ndihmës që u dha nga DEA amerikane dhe agjensi të tjera ligjzbatuese.