Prapaskena

Konflikti Izrael-Palestinë “nxjerr” Shqipërinë nga Konferenca Islamike, Netanyahu na vendos krah SHBA

Publikuar: 16/05/2021

Pas një viti të vështirë nga pandemia e covid-19, prej shtatë ditësh, bota është sërish në alarm pas rindezjes së konfliktit të vjetër mes Izraelit dhe Palestinës.

Situata në Lindjen e Mesme është e tensionuar, pasi Hamasi dhe Izraeli vazhdojnë të shkëmbejnë sulme me raketa, ku fatkeqësisht kanë humbur jetën edhe qytetarë të pafajshëm, mes tyre edhe fëmijë. Sipas të dhënave, zyrtarët e shëndetësisë në Gazë kanë raportuar të paktën 148 të vrarë, ndërsa Izraeli ka regjistruar deri tani 10 të vrarë.

Shqipëria ishtë ndër shtetet e para që dënoi sulmet me raketa të Hamasit, duke dalë hapur në krah të Izraelit, edhe pse shumë shtete nuk kishin reaguar ende për luftimet.

“Shqipëria është thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Jeruzalem dhe brenda dhe përreth Gazas. Sulmet me raketa kundër Izraelit janë të pajustifikueshme dhe rrezikojnë një përshkallëzim serioz të dhunës që do të sillte një dëm si për civilët izraelitë dhe palestinezë. Ne u bashkohemi thirrjeve nga miqtë dhe aleatët tanë që qetësia të rikthehet dhe përshkallëzimi i mëtejshëm të shmanget,” shkruhej në një postim të Ministrisë së Jashtme shqiptare në Twitter, më 11 maj.

Pozicionimi i Shqipërisë qartazi krah Izraelit, nënkuptonte se vendi ynë do të braktiste, të paktën për rastin në fjalë, një aleancë tjetër që është në bllok kundër shtetit hebre dhe pro Palestinës. Bëhet fjalë për Organizatën Islamike, ku Shqipëria është anëtare prej vitit 1992.

Të shqetësuar për përshkallëzimin e luftimeve, bota myslimane ka mbajtur këtë të dielë një takim të jashtëzakonshëm, në nivel të ministrave të jashtëm.

Duke qenë se u pozicionua në mbështetje të Izraelit, Shqipëria e “braktisi” këtë mbledhje, duke lënë vetëm edhe një prej aleatëve të afërt të vendit tonë, Turqinë.

Mbledhja u zhvillua me kërkesë të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Kryetarit të Samitit Islamik, “për të diskutuar mbi agresionin nga Izraeli në territoret Palestineze, veçanërisht, Al-Kuds Al-Shareef”.

Në një deklaratë të përbashkët, Organizata Islamike tha se “dënon në termat më të fortë sulmet barbare të nisura nga Izraeli, autoriteti pushtues, kundër popullit Palestinez dhe tokës e vendeve të tij të shenjta; kërkon ndalimin e plotë dhe të menjëhershëm të këtyre sulmeve që kanë prekur civilët e pafajshëm dhe pronat e tyre, në shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar dhe rezolutave të Kombeve të Bashkuara për çështjen e Palestinës; dhe paralajmëron se vazhdimi dhe nxitja e këtyre sulmeve dhe provokimeve, rrit rreziqet e paqëndrueshmërisë, me pasoja serioze për sigurinë brenda dhe jashtë rajonit”

Netanyahu vendos Shqipërinë krah SHBA

Benjamin Netanyahu falenderoi sot të gjitha shtetet që kanë dalë hapur në mbështetje të Izraelit në përplasjet e fundit me palestinezët.

Ajo që bie në sy në postimin e kryeministrit Izraelit, është se Shqipëria renditet direkt pas SHBA, si mbështetëse në luftën kundër Hamasit dhe si aleat i Izraelit

Mes flamujve mungon ai i Kosovës, Ministria e Jashtme e së cilës doli në krah të Izraelit vetëm disa orë më parë.



Më të lexuarat