Prapaskena

Sulmi kibernetit shkakton krizën e karburanteve në ShBA, shpallet gjendja e jashtëzakonshme në disa shtete

Publikuar: 12/05/2021

Shtetet juglindore të SHBA-së po përballen me mungesë karburantesh si pasojë e bllokimit të një prej naftësjellësve kryesorë të rajonit.

Kompania “Colonial Pipeline” ra në fundjavë pre e një sulmi kibernetik që çaktivizoi rrjetin e saj kompjuterik dhe pezulloi qarkullimin e naftës, benzinës dhe benzolit në tubacionin 5 mijë milje të gjatë që shtrihet nga Nju-Xhersi në Teksas.

Për shkak të kësaj avarie, disa shtete raportuan të martën çmimit më të lartë të benzinës që prej vitit 2014, rreth 0,8 dollarë litri.

“Është çmenduri, por do e durojmë sa të rregullohet. Na duhet të shkojmë në punë,” tha një klient.

“Nuk po presim karburant të cilësisë më të lartë, sepse e dimë që nuk ka. Po marrim atë që është në gjendje dhe me çmim më të lartë për litër sesa normalisht,” tha një klient tjetër.

Karolina e Veriut, Virxhinia dhe Florida kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Sekretarja amerikane për Energjinë, Jennifer Granholm, u bëri thirrje qytetarëve ta marrin situatën me qetësi sepse do të kalojë.

“Dhe, si paralajmërim më shumë, ju them se siç nuk pati nevojë që njerëzit të mbanin rezervë letra higjienike në fillimin e pandemisë, nuk keni pse të mbani as benzinë stok në shtëpi, sepse naftësjellësi do të jetë funksional brenda fundjavës,” tha Jennifer Granholm.

Kompania amerikane dyshohet se është sulmuar nga një grup hakerash që po i bëjnë asaj shantazh kundrejt parave.

Grupi “Darkside” besohet se e ka bazën në Rusi ose në Europën Lindore, por Kremlini ka mohuar të ketë përgjegjësi për sulmin.



Më të lexuarat