Prapaskena

Mbrëmje magjike në Serinë A! Milani “masakron” me 7 gola Torinon! Inter, Juve dhe Atalanta nuk falin. Fitore dramatike për Lacion, ja të gjitha rezultatet

Publikuar: 12/05/2021

U luajtën mbrëmjen e sotme 7 sfidat e vlefshme për javën e 36-të të Serisë A, ku u regjistruan në total plot 24 gola.

Milani i Stefano Piolit, i surprizoi të gjithë, duke shpartalluar me rezultatin 0-7 Torinon, në sfidën e dominuar nga “Djalli”. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 0-2, teksa në fragmentin e dytë të lojës, kuqezinjtë realizuan edhe 5 gola të tjerë.

Protagonistë në këtë përballje ishin kroati Ante Rebiç, që realizoi tripletë në harkun kohor të 17 minutave, ndërkohë dopietë realizoi edhe Teo Hernandez. Golat e tjerë u realizuan nga Kesi dhe Brahim Diaz.

Në përballjet e tjera, Juventusi bindi në transfertë ndaj Sasuolos, duke triumfuar me rezultatin 1-3. Nuk falën as kampionët e Interit, që mposhtën Romën me rezultatin 3-1.

Atalanta bëri detyrën në shtëpi ndaj Beneventos. Bergamaskët, iu falën golave të Muriel dhe Pasaliç. Fitore in-ekstremis, për Lacion e Inzagit, që arriti të merrte 3 pikë ndaj Parmës, falë golit të Imobiles në minutën 90+5’.

Sfida e vetme e mbyllur në barazim ishte ajo mes Sampdorias dhe Specias. Fitore të rëndësishme në transfertë arriti edhe Xhenoa ndaj Bolonjës.



Më të lexuarat