Prapaskena

Kompania ‘Biba-X’ e listës së zezë dhe maskë e Bashkim Ulaj merr tendera pa garë, Rama i hoqi dënimin 3-vjeçar për vjedhjen e 30 milionë euro me letra false

Publikuar: 12/05/2021

Duhet të ishin prapa hekurave bashkë me grabitqarin e madh të fondeve publike Bashkim Ulajn, Damian Gjikhurin, Afrim Qendron e ARSH dhe Klodian Gradecin e OST, për vjedhjen e 30 milionë eurove me dokumente false, por pronarët në letra të kompanisë “BIBA-X”, sot vijojnë të marrin tendera korruptivë nga drejtorët dhe kryebashkiakët e Edi Ramës.

Në 12 prill, dy javë para zgjedhjeve parlamentare, kompania Biba-X ka marrë tenderin e radhës pa garë, pra me pazar në tavolinë, nga Bashkia e Vorës për rikonstruksionin e disa akseve rrugore.

Gjatë javë të fundit, kjo kompani është përjashtuar nga tendera të njëjtë, për mungesë kapacitetesh dhe mosplotësim kushtesh, bashkë me Shkëlqim Kupën, një tjetër ish-satelit i Bashkim Ulajt në skemën e vjedhjet së parave të shqiptarëve.

Për tendera të njëjtë, disa drejtorë të Ramës e shpallin fitues pa garë, ndërsa disa të tjerë e përjashtojnë nga gara, dëshmi kjo flagrante e korrupsionit dhe klientelizmit.

Përfitimi i këtij tenderi pa garë duhet të jetë objekt i prokurorisë, por në këtë rast skandali më i rëndë qëndron diku tjetër. Biba-X është një nga kompanitë maska të oligarkut Bashkim Ulaj në grabitjen e parave publike, meqenëse kompanisë së tij Gener 2 i ka dalë boja në vjedhje.

Në letra, pronarët e Biba-X janë Skender Biba, Barush Biba dhe Luan Biba. Fillimisht kompania është themeluar nga Barush Biba me një person tjetër, ndërsa më vonë kanë hyrë në lojë Skënder dhe Luan Biba.

Kjo kompani është pjesë e një prej vjedhje më të rënda dhe flagrante me tendera në historinë e pluralizmit shqiptar. Kompania u përdor nga emblema e hajdutërisë Bashkim Ulaj, për grabitjen e 30 milionë eurove tendera tek ARSH-ja e Afrim Qendror dhe OST-ja e Klodian Gradecin, me në krye Damian Gjiknurin.

Biba-X u shfaq në ortakëri me firmën fantazmë “D.H Albania”, të familjarit të Bashkim Ulajt, Abdiol Dobi, i dënuar nga drejtësia më pas, por i zhdukur prej kohësh. Ulaj, përmes “D.H Albania” dhe çunakut Dobi kishte falsifikuar dokumentet, duke u paraqitur në letra sikur ishte degë e një kompania të madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

26-vjeçari Dobi paraqitej gjoja si përfaqësues i kompanisë amerikane Dunwell Haberman, e regjistruar në Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kompania fantazmë drejtohej pas perdeve nga Bashkim Ulaj, i cili falë lidhjeve me Gjiknurin, arriti të merrte 30 milionë euro tendera nga ARSH dhe OST.

Për ta kamufluar skemën e vjedhjes, Bashkim Ulaj, më parë klient i Sali Berishës, pro prej vitesh lëpirës i pushtetit të Edi Ramës pasi po merr qindra milionë euro me anë të një tufe kompanish që ka krijuar dhe kaluar në emra të ndryshëm, futi në lojë edhe një nga kompanitë e tij maska, siç është Biba-X.

Pasi skema u zbulua dhe u denoncua në media, e gjithë historia përfundoi vetëm me dënimin e çunakut Dobi me 6 muaj burg, ndërsa Ulja, tre Bibët, Gjiknuri, Gradeci dhe Qendro vazhdojnë vjedhjet.

Skandali ishte kaq i rëndë saqë Ulaj u denoncua edhe nga vetëm PD-ja, edhe pse Ulaj i ka falur Sali Berishën një zyrë të madhe tek kulla afërt stadiumit,

Pas skandalit, kompania Biba-X u fut në listën e zezë të kompanive në Shqipëri, duke u përjashtua me 3 vite nga pjesëmarrja në prokurimet publike.

Vendimi u firmos dhe u botua në faqen ë Agjencisë së Prokurimeve Publike në shkurt të vitit 2019. Por, vetëm tre muaj më pas, datë 20 maj 2019, kompania “BIBA-X”, maskë e trafikantit Bashkim Ulaj, është hequr nga lista e kompanive të ndëshkuara, duke fituar të drejtën që të marrë pjesë në tendera e koncesione.

Dhe nuk kaluan shumë kohë kur Biba-X vijoi avazin, siç është edhe tenderi i radhës nga Bashia Vorë.

Nuk është rastësi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë konsideruar korrupsionin e kësaj qeverie si rrezikun më të madh për sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

Nuk është rastësi që Shqipëria sundohet nga një prej kastave më të korruptuara në planet. SPAK duhet ende i pafuqishëm për të shkatërruar këtë rrjet mafioz që vjedh me letra paratë e shqiptarëve! (Pamfleti)



Më të lexuarat