Prapaskena

City kurorëzohet kampione e Anglisë, Barcelona bën ‘vetëvrasje’ dhe Napoli hipotekon Championsin

Publikuar: 12/05/2021

Kur titullin kampion e shijon nga divani dhe ta jep matematikisht humbja e rivalëve të përjetshëm të shijon edhe më shumë. Manchester City u shpall kampione e Anglisë për herë të shtatë në histori pas humbjes që United pësoi në “Old Traford”.

Manchester United u mposht 2-1 nga Leicester që mbetet në zonën Champions. “Djajtë e kuq” të dytët janë 10 pikë larg Cityt dhe me tre ndeshje të mbetura nuk e arrijnë dot. Ky është titulli i tretë kampion për Pep Guardiolën nën drejtimin e skuadrës angleze gjë për të cilën spanjolli është shumë krenar por thotë se ky ishte më i vështirë se dy të parët. City këtë sezon synon edhe Championsin.

Ndërkaq Barcelona bën vetëvrasje në fushën e Levantes dhe i thotë lamtumirë titullit kampion në Spanjë.

Levante-Barcelona u mbyll në barazim 3-3 në një duel dramatik që lë katalanasit dy pikë larg Atleticos në renditje me mundësi shumë të pakta për titullin.

Messi dhe Pedri bënë që pjesa e parë të mbyllej në avantazhin e dyfishtë të Barcelonës por vendasit barazuan në fillimin e pjesës së dytë.

Dembele kaloi sërish Barçën në avantazh dhe Sergio Leon u prishi festën 7 minuta nga fundi. Barcelona thuajse e humb kampionatin.

Napoli hipotekon kualifikimin në Champions. Ndeshjen hapëse të javës së 36-të në Itali napoletanët e fituan 5-1 ndaj Udineses dhe marrin vendin e dytë.

Sot zbresin në fushë Milani, Juvja e Atalanta ndërsa luhet edhe Inter-Roma./ Andi Kapxhiu



Më të lexuarat