Nga Adriatik Doçi (Shqiptarja.com)
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë ndryshimin e Kodit Penal, duke shtuar një nen të ri, me emërimin “Pasurimi i paligjshëm”, me qëllim për të goditur korrupsionin në radhët e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve publikë.
Propozimi ka vendosur deputetët para një prove të fortë, pasi neni i ri synon kryesisht ndëshkimin e politikanëve dhe njerëzve të drejtësisë, të cilët nuk justifikojnë pasuritë e deklaruara me të ardhura të ligjshme.
Ky nen do t’i mundësonte prokurorive të juridiksionit të zakonshëm dhe SPAK-ut të procedonte penalisht një zyrtar apo ish zyrtar për pasurim të paligjshme, edhe në kushtet kur për zyrtarin nuk ka një kallëzim për mosjustifikim apo fshehje pasurie, për pastrim parash apo edhe në kushtet kur nuk është provuar përfshirja në një aferë korruptive.
Aktualisht veprat penale në fushën e korrupsionit janë në kompetencë të SPAK. Që SPAK të veprojë dhe të kërkojë sekuestrimin e pasurisë së në funksionari apo ish-funksionari të lartë publik, duke zbatuar ligjin anti-mafia, duhet që të ketë nisur më parë një procedim penal për fshehje pasurie, mashtrim, pastrim parash etj., siç ishte rasti i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla apo tre ish-gjyqtarëve të nivelit të lartë.
Në këto rrethana, neni i ri për “Pasurimin e paligjshëm” do të ishte një armë e fortë në duart e prokurorëve, për të goditur korrupsionin në nivele të larta, përmes ndjekjes së pasurive.
Një nen i tillë do të ndëshkonte automatikisht të gjithë njerëzit e drejtësisë, të cilët janë shkarkuar nga organet e Vetingut për pasuri të paligjshme.
Por ku e bazon propozimin kryeprokurori Çela?
Shtimi i nenit “Pasurimi i paligjshëm” në Kodin Penel buron nga Konventës së OKB-së Kundër Korrupsionit, miratuar në Nju-Jork më 31 tetor 2003.
Konventa është ratifikuar nga Shqipëria me ligjin nr. 9492/2006. Në nenin 20 të Konventës së OKB-së thuhet se “Në përputhje me Kushtetutën dhe principet themelore të sistemit të tij ligjor, secili shtet palë shqyrton marrjen e masave legjislative dhe të tjera që mund të jenë të nevojshme për të parashikuar si vepër penale, kur kryhet me qëllim pasurimin e paligjshëm, që është një rritje e madhe e pasurisë së një nëpunësi publik që ai ose ajo nuk mund ta justifikojë me të ardhurat e tij ose të saj të ligjshme”.
Meqenëse neni 20 i konventës së OKB nuk ka karakter detyrues apo e lë në vullnetin e autoriteteve të shtetit përkatës marrjen e masave shtesë, Parlamenti Shqiptar prej 15 vitet nuk e ka parë të domosdoshme miratimin e nenit për pasurimin e paligjshëm, ndonëse lufta kundër korrupsionit është një nga kushtet themelore për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE.