Prapaskena

Negociatat, situata në Ballkan në rendin e ditës së BE

Publikuar: 10/05/2021

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë në takimin e Këshillit të çështjeve të jashtme për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe për raportet me Shtetet e Bashkuara.

Sipas burimeve në BE, ky do të jetë ky një rast për të përsëritur përkushtimin ndaj Ballkanit Perëndimor, por edhe për të forcuar angazhimin për realizimin e perspektivës evropiane të rajonit.

Vazhdimi i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përplasjet e brendshme politike në Bosnje e Hercegovinë janë çështjet të cilat kanë tërhequr më së shumti vëmendjen e BE-së dhe për to pritet që sot (10 maj) të diskutohet më së shumti. Sa i takon procesit të zgjerimit të BE-së kjo temë do të jetë në rend dite të martën kur takohet Këshilli i çështjeve të përgjithshme, po ashtu në nivel ministrash.

Burimet diplomatike në BE janë shprehur se aktualisht, pasi edhe në Kosovë edhe në Serbi ka një qeveri me mandat dhe mbështetje të qartë të elektoratit, është krijuar një rast për të arritur marrëveshje për normalizimin e raporteve në kuadër të dialogut të cilin e lehtëson Bashkimi Evropian. Por, në BE pranojnë se ka ende paqartësi sa i përket vazhdimit të dialogut.

Një tentativë e BE-së për të organizuar një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç me 11 maj kishte dështuar pasi pala kosovare nuk e kishte konfirmuar këtë takim dhe kishte thënë se i duhet kohë për t’u përgatitur më mirë për vazhdimin e dialogut.

Pritet që në takimin e Ministrave të jashtëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ku veç Përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell të flasë edhe i dërguari i posaçëm për dialog, Mirosllav Lajçak.

Sa i përket situatës në Bosnje e Hercegovinë, Përfaqësuesi i lartë, Borrell ka shprehur shqetësim për rritjen e gjuhës nxitëse dhe tensionimin e situatës, sidomos pas zërave se mund të ketë ndryshim të kufijve. Ai ka bërë ftesë që diskutimet e tilla për ndryshim kufijsh dhe për luftë të marrin fund dhe liderët politikë të angazhohen në reformat ë cilat do ta afrojnë shtetin me Bashkimin Evropian.

“Retorika e cila vë në dyshim integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës duhet të ndalet. Debatet për secesion, kufij të ri, ndarje të mëtejmë në linjat etnike dhe luftë, janë të rrezikshme dhe të papranueshme”, ka shkruar Borrell në një komunikatë të lëshuar në prag të diskutimit të sotëm të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian.

Në BE janë shprehur optimistë se me administratën e re amerikane mund të ketë një bashkëpunim më të madh edhe në realizimin e agjendës së përbashkët në rajonin e Ballkanit Perëndimor



Më të lexuarat