Kryeministri Edi Rama u ka shprehur mirënjohjen gjeneralëve të lartë amerikanë që kanë zbarkuar në Durrës, për stërvitjen e forcave të NATO-s në kuadër të misionit “Defender Europe 21”,
“Është një lumturi e veçantë që ju kemi këtu mes nesh dhe ju falenderoj në krye të herës për fjalët që i drejtuat sot kësaj audience, por krejt popullit shqiptar”, iu drejtua Rama gjenaralit të lartë Ëolters.
Më tej, Rama tha se gjatë regjimit komunist, gjenerata që lindi dhe u rrit gjatë asaj periudhe u mësua me idenë se Amerika nuk duhet të shkelte kurrë në Shqipëri.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Është nder për ne të kemi kaq shumë yje të mbledhura në këtë vend të vogël dhe kam bindjen se kjo stërvitje shumë më tepër se një moment i rëndësishëm i gjithë punës së përbashkët në funksion të rritjes dhe demonstrimit të kapaciteteve tona, besoj se kjo stërvitje është dhe një tjetër pikë e rëndësishme në ngjitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tona, në pikën më të lartë.
Gjenerata jonë u lind dhe u rrit në gjysmën e jetës deri këtu, se ju nuk duheshit lënë kurrë të shkelnit në këtë vend. Ne të gjithë u brumosëm nga propaganda e regjimit të shkuar me bindjen se ju jeni e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë Shqipërisë dhe mbarë botës.
Realisht, për gjeneratën tonë është një mrekulli e madhe që e ka ndarë jetën në dy botë, asaj bote të vogël dhe të errët dhe kësaj bote ku mund të presim partnerët tanë amerikanë. Dua shumë të besoj se pas zbarkimit tuaj në Shqipëri, edhe juve do ju ndodh ajo që ju ndodh të gjithëve kur vijnë në Shqipëri, do doni të vini përsëri.
Shqipëria është një vend që kush vjen dëshiron të kthehet përsëri. Kam dëshirë dhe besim se kjo do të ndodhë dhe me ju.