Prapaskena

“Mënyra si po drejton është e paaftë dhe e korruptuar”, Arben Imami sulmon ashpër kreun e PD-së: Basha i ka dalë nga duart edhe Sali Berishës

Publikuar: 04/05/2021

Arben Imami, ish-anëtari i kryesisë së PD ka komentuar vendimin e PD për djegien e mandatave në vitin 2019. Imami tha në “A2” se për këtë vendim, Basha i “doli nga duart” edhe ish kryeministrit Sali Berisha.

Për Imamin, mënyra sesi Basha po e drejton PD është e paaftë, teksa shton që kritikat ia ka thënë në sy dhe shumë më pak në mbledhje grupi për të mos krijuar frymë ashpërsie.

Ai sjell në vëmendje marrëveshjen e 17 majit, që sipas tij ishte kundër PD-së, ndërsa akuzon Bashën se bëri fushatë për Ramën kundër Metës.

“Për të gjitha vendimet që janë marrë janë përgjegjës ata që kanë marrë vendimet. Ne kemi folur në grup parlamentar në 2013, kemi pasur sens konstruktiv, sens dashamirës për ta ndihmuar atë se menduam që ishte aguridh, i papjekur dhe gabuam se këto që kemi thënë duhet t’i kishim thënë me këtë forcë që atëherë. Menduam që garancia për të do të ishte Sali Berisha dhe do t’i tregonte se çfarë duhet të bënte dhe si të veprohet dhe ai i doli nga duart edhe mentorit të tij. Dhe këtë e besoj dhe koha do të tregojë që kam të drejtë.

Kritikat e mia kanë qenë kritika që i kam biseduar personalisht me të në zyrë dhe në mbledhje grupi kam thënë 30% të tyre për të mos krijuar një frymë ashpërsie. Paaftësia e korrupsioni krijojnë gjithmonë probleme. Mënyra si po e drejton PD është e paaftë dhe e korruptuar. Pse nuk pati kohezion? Kohezion ka pasur në ide. Idetë e përgjithshme kanë qenë më të mirat. Nuk u larguam ne nga listat kjo ishte shumë e rëndë për partinë.

Bashkëshoqërimi i marrëveshjes së 17 majit me 3 elementë; lista, fushatë e republikës së re e cila ishte tërësisht anti PD, ai bëri fushatë për Edi Ramën në 2017, pro Ramës, kundër Metës dhe këto elementë bënë që humbi zgjedhjet. Zgjedhjet në 2017 mund të ishin fituar në 2017. Këtë herë zgjedhjet duhet të ishin fituar. Nuk ka më argumenta për të thënë gjë. Pas 8 vjetësh nuk ka më asnjë lloj justifikimi. Rama si kryeministër dhe Basha si kryetar partie do të ketë një mandat të tretë”,-tha Imami.



Më të lexuarat