Pasditen e sotme kryedomokrati Lulzim Basha zhvilloi në ambientet e selisë së Partisë Demokratike një takim me deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit, si dhe me kandidatët jo fitues të listës. Takim ky i cili u zhvillua me dyer të mbyllura dhe me një diskutim të brendshëm mbi atë çka pritet të jetë aksioni opozitar për kontestimin e zgjedhjeve.
Ka qenë Mark Marku, deputet në qarkun e Lezhës ai i cili ka qenë më radikali dhe i cili kërkoi nisjen e protestave për kundërshtimin me dhunë të një regjimi që ka manipuluar zgjedhjet.
“Qytetarët janë lodhur me procedura ligjore, me këto të merren ekspertët. Ne duhet të protestojmë, që t’u tregojmë njerëzve që do e mbrojmë votën e tyre”, mësohet të ketë thënë Marku.
Analiza e Markut ka hasur në kundërshtimin e Bashës i cili ka refuzuar protestat nën argumentin se nuk është koha e duhur për revoltë, por është koha e duhur për të vetëdijësuar njerëzit për masakrën elektorale.
“Gjëja më e thjeshtë për mua është të thërras protesta. Por po pas kësaj? Jo, sepse nuk është kjo koha. Prioriteti ynë është të vetëdijësojmë njerëzit për masakrën elektorale që edhe protesta të ketë kuptim”, citohet të ketë thënë kreu i PD Lulzim Basha.