Prapaskena

‘Non-Paper’-i slloven për ndryshimin e kufijve në Ballkan, Daçiç: Është më i mirë se plani i Ahtisaarit, siguron autonomi për serbët në veri

Publikuar: 03/05/2021

Kryeparlamentari serb, Ivica Daçiç, ka reaguar në lidhje me dokumentin “non-papers” të publikuar nga gazeta austriake “Der Standard” ku fliste për ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Në një televizion serb, Daçiç është shprehur se dokumenti “non-papers” ka qenë më i mirë se plani i Ahtisaarit, pasi sipas tij, siguron autonomi për serbët në veri të Kosovës. Ai u shpreh se megjithatë ky dokument nuk ishte në nivelin e kërkesave dhe pritjeve të Beogradit.

Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, kryeministri Edi Rama iu përgjigj pretendimeve të gazetës austriake që e citonte atë të ketë deklaruar se e ka parë atë dokument dhe hartën me ndryshimet e propozuara të kufijve. Rama mohoi kategorikisht lajmin se është në dijeni apo të ketë mbështetur një plan për ndryshim kufijsh në Ballkan. Ai e cilësoi të turpshëm këtë artikull dhe fake news, duke theksuar se as nuk e ka parë kurrë këtë hartë dhe as nuk ka mbështetur asnjë ndryshim kufijsh.Pas kësaj reagoi edhe shefi i diplomacisë së jashtme në Gjermani, Heiko Maas, i cili tha se këto fenomene ‘non-paper’ ku nuk ka dokumente zyrtare që qarkullojnë në media janë fake news dhe se nuk duhet t’u kushtohet vëmendje. Maas tha se nuk kanë gjë tjetër veçse fjalë bosh dhe askush nuk duhet të merret seriozisht me to.

Çfarë është “non-paper”?
Ky term përdoren në gjuhën e institucioneve evropiane, “non-paper” është dokument joformal, zakonisht pa theksim të qartë, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, veçanërisht në Këshillin e Ministrave, në mënyrë që të kërkohet marrëveshja për ndonjë çështje të kontestuar procedurale ose politike. “Non-paper” është formë e zakonshme komunikimi e një ose më shumë anëtareve të BE-së rreth një çështjeje të caktuar.



Më të lexuarat