Nga Adriatik Doçi (Shqiptarja.com)
Gjatë vitit 2020, 72 zyrtarë të niveleve të ndryshme, përfshirë deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë, janë kallëzuar në SPAK dhe në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, për fshehje pasurie, mashtrim me deklaratat e pasurisë dhe për pastrim parash.
Dosjet janë referuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, pas kontrollit të ligjshmërisë së pasurive të një pjesë të zyrtarëve të lartë.
Rastet në fjalë të fshehjes së pasurisë janë referuar edhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave si dhe Policisë së Shteti. Të dhënat reflektohen në raportin e veprimtarisë së ILDKPKI për vitin 2010.
Krahas kallëzimeve në Prokurori, gjatë vitit 2020, institucioni i kontrollit të pasurive ka gjobitur edhe 30 zyrtarë, të cilët kanë refuzuar që të deklarojnë pasurinë.
Që nga viti 2014 deri në fund të vitit 2020, janë gjobitur 1 759 zyrtarë për refuzim për deklarimin e pasurisë dhe konflikt interesi. Po thuajse të gjitha gjobat janë konfirmuar edhe nga gjykata.
Ndërkaq, gjatë gjashtë viteve të fundit, janë kallëzuar në prokurori mbi 500 zyrtarë për fshehje pasurie, mashtrim dhe pastrim parash. Në këtë listë të gjatë, përfshihen ish-ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë, kryetar bashkish, ambasadorë, doganierë, drejtorë të rëndësishëm etj.
Ndërkaq, nga ana tjetër, nuk ka bilanc nga prokuroria dhe gjykata, për ndëshkimin e këtyre zyrtarëve të denoncuar për pasuri të paligjshme dhe as konfiskim të pasurive të tyre.
Numri i dënimeve i pushtetarëve që fshehin pasurinë, gjatë 6 viteve të fundit, numërohen me gishtat e dorës. 90 % e këtyre dosjeve janë mbyllur në mënyrë të dyshimtë pa shkuar në gjykatë, ndërsa pjesa tjetër endet nëpër kthinat dhe lojën e procedurave.
Ditët e fundit SPAK dha një mesazh për ndryshimin e kësaj historie mosndëshkimi, pasi bllokoi pasurinë e tre ish-gjyqtarëve të nivelit të lartë, të kallëzuar për mosjustifikim pasurie.
Goditja e zyrtarëve të lartë, përmes bllokimit të pasurive, konsiderohet si arma më e fortë dhe efikase në luftën kundër korrupsionit.
Brukseli ka kërkuar prej dy vitesh ‘fillimin e procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e Vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme’, si një kusht që Shqipëria të avancojë me shpejt në rrugën e integrimit në BE.