Ferdinand Xhaferri, kandidati për deputet, ka folur për Fax News mbi zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, duke u shprehur se partia e tij është përballur me krimin, shtetin dhe pushtetin.
Dy ditë më parë, Xhaferri pati një konfrontim me Vangjush Dakon në një nga qendrat e numërimit të votave, pasi Dako e ngacmoi duke i thënë me ironi “urime për fitoren”. Xhaferri ia ktheu po me ironi “pse politikan je ti”. Më pas sherri shkoi në konfrontim fizik mes mbështetësve të të dyja palëve por që u shua shpejt.
Ditën e sotme, teksa fliste për Fax News, Xhaferri u ndal dhe te Dako të cilin e quajti kryetari defacto i bashkisë së Durrësit, duke shtuar se ai është kumbari i krimit në Durrës.
Xhaferri gjithashtu foli dhe për arsyen përse nuk e uron për fitoren Dakon. Sipas, Xhaferrit Vangjush Dako dhe trungu i tij i familjes janë të ndaluar të shkojnë në SHBA për korrupsion të lartë zgjedhor, prandaj dhe ai nuk dëshiron që të dalë kundër SHBA dhe të urojë Dakon.
“Mendoj që edhe vëzhguesit e huaj dhe qytetarët e panë që nuk ishin zgjedhje por ishin votime. Nëse zgjedhjet do të ishin të lira dhe të ndershme, në mënyrë të padiskutueshme do e uroja kundërshtarin. Por qytetarët e Durrësit e panë që në këto zgjedhje u përballem me krimin, shtetin dhe pushtetin. Kordinatori, kumbari i gjithë këtyre, është kryetari defacto i bashkisë Vangjush Dako. Vangjush Dako është një person që nuk lejohet të shkojë në SHBA, ai dhe trungu i tij i familjes, për shkak të korrupsionit të lartë zgjedhor. Unë jam një politikan që jam shkolluar në SHBA. Kam bërë një shkollim të shkëlqyer aty dhe të urosh Vangjush Dakon dmth t’i kundërvihesh Amerikës. Unë nuk kam ndërmend karrierën time politike t’i kundërvihem Amerikës,” tha Xhaferri.