Socialistët janë të vendosur për të iniciuar shkarkimin e presidentit Ilir Meta me motivacionin e shkeljes së kushtetutës pasi u përfshi në fushatën elektorale.
Top Channel ka mësuar se të hënën pikërisht për hapat që do të ndërmerren, pritet të mblidhet grupi aktual parlamentar socialist nën drejtimin e kryesocialistit Edi Rama.
Mundësitë që socialistët të ngrenë një komision hetimor parlamentar për të hetuar shkeljet e presidentit janë praktikisht zero.
Rregullorja e kuvendit ndalon formimin e komisioneve parlamentare 4 muaj përpara përfundimit të mandatit të këtij parlamenti.
Në një situatë të tillë socialistët do të diskutojnë e shikojnë mundësitë alternative për të realizuar tentativën e dytë të shkarkimit.
Vitin e shkuar komisioni hetimor Manja, u mjaftua me këshillimin e presidentit për të mos ta shkelur kushtetutën ,kur e vunë nën hetim për c’dekretimit e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Betejën e re të shkarkimit e presidentit Meta, e paralajmëroi kryeministri Edi Rama nga emisioni Open në TopChannel javën e shkuar dy ditë përpara 25 Prillit.
Ndërsa numri dy i PS Taulant Balla, e riaktualizoi një ditë më parë kur tha se “të mbarojë procesi i numërimit dhe t’ia bëjmë gati letrat e pensionit, të pijë raki me çifteli me Saliun ke azili Lalzit”.
Krahas ngritjes së temperaturave të motit këtë fillim vere, edhe zhiva e termometrit politik pritet të jetë e lartë.
Nga njëra anë partitë e opozitës të cilat po tentojnë të mbledhin fakte në mbështetje të mos-njohjes së zgjedhjeve dhe nga ana tjetër përplasja mes shumicës së vjetër e të re socialiste me presidentin Ilir Meta./TCH