Në Shkodër ka përfunduar numërimi i votave për kandidatët, ndërsa askush nuk ia ka dalë që të thyejë herësin, dhe të ndryshojë listën e vendosur nga partitë. Të dhënat e përditësuara nga KQZ në orën 7:00 të së enjtes tregojnë këtë renditje dhe numër votash.
Vlen të theksohet se në Kuvendin e ardhshëm nuk do të jenë pjesë ish-deputetët Bardh Spahia apo Izmira Ulqinaku nga radhët e Partisë Demokratike, dhe Ilir Beqaj nga radhët e Partisë Socialiste. Ndërkohë që një nga më pak të votuarit është kreu i Partisë Demokristianë Nard Ndoka, i cili po ashtu mbetet jashtë parlamentit.
Deputetët e rinj të Shkodrës nga ana e Partisë Socialiste janë: Edona Bilali, e cila ka marrë 2711 vota, Paulin Stërkaj i cili ka marrë 7335 vota dhe Benet Beci i cili ka marrë 6131 vota.
Nga Partia Demokratike e kanë fituar mandatin e deputetit: Helidon Bushati me 6743 vota, Emilja Koliqi me 1364 vota, Ramadan Likaj me 4778 vota, Greta Bardeli me 2753 vota dhe Zef Hila me 5975 vota.
Dy mandate në qarkun e Shkodrës do ti përkasin partisë Social Demokrate, ku Tom Doshi edhe pse është tërhequr nga mandati ka marrë 7886 vota, dhe me largimin e tij në Kuvend pritet që të shkojnë Gledis Çeliku dhe Meri Markiçi.
Po ashtu nga radhët e LSI-së mandatin e ka marrë biznesmeni Agron Çela.