Prapaskena

Nikoll Lesi i përvishet Frangajt: Ti je me kë sundon kalanë, nuk ke dalë keq! Vërtetimi im të nxori nga burgu (Sulmon dhe Fevziun)

Publikuar: 28/04/2021

Rezultati i zgjedhjeve duket se ka nxjerrë në pah pakënaqësi ndërmjet dy ish-miqve dhe kolegëve të botës së medias, Aleksandër Frangaj dhe Nikoll Lesi.

Teksa ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin Opinion, për të komentuar rezultatin e zgjedhjeve, mes të tjerave Frangaj sulmoi LSI-në dhe Ilir Metën duke thënë tekstualisht ”edhe Nikoll Lesi të ishte nuk do të bënte këto idiotsi që bëri Ilir Meta!”.

Kjo shprehje e tij duket se ka bezdisur Lesin, i cili menjëherë sapo është vënë në dijeni të kësaj deklarate, ka tentuar që të ndërhyjë në emision, për tu përballur me Frangajn, por nuk i ëhstë dhënë mundësia nga drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu.

I gjendur në këto rrethana Lesi ka bërë një replikë të gjatë në gazetën Koha Jonë, ku i kujton Frangajt të gjitha herët që i ka ardhur në ndihmë, përfshirë dhe një raport të dyshimtë për nxjerrjen e tij nga burgu në 1994.

Sipas botuesit Lesi, Frangaj ka zgjedhur gjithnjë të jetë në anën e pushtetit, dhe mbrëmjen e djeshme duke mbrojtur pushtetit e Edi Ramës, thjesht i legjitimoi pretendimet e tij. Nga ana e tij botuesi paralajmëron dhe mbylljen e gazetës Koha Jonë në versionin print teksa shkruan mes rreshtave:

Unë prej vitesh jam tërhequr në jetën time dhe mundohem të mbajë gazetën që themelova me 11 maj 1991, e besoj me 11 maj të këtij viti kur mbushen fiks 30 vite si gazeta e parë e pavarur shqiptare, do ta mbyll gazetën si print. Por do ta mbajë në versionin online. Mundet dhe një televzion në kushtet e një teknologjie të re.

SHKRIMI I PLOTË I LESIT:

Me thanë se mbrëmë në “Opinion” te Blendi Fevziu, te televizioni i Aleksandër Frangajt me kanë përmendur personalisht. Nuk po ndiqja TV Klan në atë kohë pasi e kisha te Top Channel dhe dikush, një avokat i njohur, me nis një sms se “ç’pati Sandri që të përmendi ty me ironi e përçmim tani te Fevzo?”. E pyeta se si është puna dhe më tha diçka që nuk po arrija të kuptoja se ç’lidhje kisha unë me emisionin e Fevziut.

E kalova te Klani dhe pashë se ishin në studio; Baton Haxhia, Armand Shkullaku, Preç Zogaj, Erla Mhilli dhe Aleksandër Frangaj. Por disa kolegë me sqaruan në celular se po flitej nga Sandër Frangaj për rolin e Presidentit Meta në fushatën elektorale. Dhe në një moment përçmimi për Presidentin, Frangaj paskesh thënë se “edhe Nikoll Lesi të ishte nuk do të bënte këto idiotsi që bëri Ilir Meta!”.

Kërkova në celular të dilja live në studion e Klan për ti dhënë një përgjigje të shkurtër Sandrit, por Blendi Fevziu me mbyllte telefonin. E megjithatë Fevzo u mjaftua me një lexim tangent të një sms time, gjë që nuk është aspak profesionale sepse kur Blendi dëshiron të nxjerrë live në emision. Por Fezvo nuk ka shumë faj se është i punësuar të pronari Frangaj dhe ndihej keq t’ja prishte punëdhënësit.

Në kushte krejt të pabarabarta mediatike, kur Frangaj nga prona e tij në Klan me sulmon me përçmim dhe unë nuk lejohem të dalë live, jam i detyruar të shkruaj disa rrjeshta.

E para se unë dhe Sandri jemi dy botë të ndryshme, kjo as që diskutohet.

Dhe nuk jam i penduar!

E dyta Sandrin e kam ndihmuar asokohe kur asnjeri nuk i hapte derën e jetës, në vitin 1991. Dhe nuk kam bërë gabim, sepse gjithçka e kam bërë pa hile dhe me një dashamirësi, që akoma me ka mbetur, ndonëse në këto 30 vite kam parë shumë pabesi, sikurse me dhjetra ish-kolegë ruajmë respekt të ndërsjelltë për kohët e dikurshme në median “KOHA JONE”.

Unë nuk jam njeri pa gabime. Kam bërë gabime në jetë, por nuk kam kryer faje, krime.

E treta, Sandrin e bëra unë bashkëpronar të KOHA JONE dhe nuk është se ai më mori mua përdore. Më mirë e di avokat Spartak Ngjela se si erdhi mes zhegut të 22 korrikut 1992 në Lezhë kur unë vendosa ti falja, Sandrit, 40 përqind të aksionëve të gazetës KOHA JONE. Fjalët e avokatit atëkohë kur më pyeti se “sa lekë jep ky Sandri për 40 % të aksionëve?” mbetet lapidare përgjigja e tij kur më tha “jepja, jepja falas, por kur të pendohesh se po e bën bashkëpronar, merr avokat tjetër e jo mua se ai do ti shesë sa frengu pulën!”.

Dhe ashtu ndodhi. Sa “frengu pulën” mu shitën në janar 1997 ato që fala në korrik 1992!

E katërta, Sandri ka parimin se është përherë me atë që sundon kalanë. Dhe nuk i ka dalë keq!

Fliste, siç me thanë, kaq keq për Ilir Metën për ti bërë qejfin kryeministrit Rama, sikurse fliste, dikur, kaq poshtërsisht kundër Edi Ramës, kur ishte Berisha në pushtet.

Nejse, kjo mbetet çështje karakteri!

Unë, kur ai u zu me ish-bashkëpronarët e tij në TV KLAN Marsel Skëndo dhe Zhylien Rosh, sapo erdhi Berisha në pushtet, vinte prapë të KOHA JONE dhe kërkonte ndihmë. Dhe ia botova çfarë më sillte Sandri, edhe për hir të një respekti për miqësitë e vjetra. Siç shkova (kur ishte në burg në shkurt 1994) te Gjok Jaku, që ishte kryetar komune në Zejmen (Lezhë) për të marrë një vertetim urgjent që t’ja çoja gjyqtarit Arben Ristani që ta nxirrte nga burgu, Sandrin. Dhe e nxora nga burgu me atë vertetim!

E pesta, Sandri sot ka shumë prona, pasuri, lekë, euro! Është supër milioner. Dhe ti gëzojë dhe as që ndjejë as më të voglën zili për të.

Por Sandri nuk ka të drejtë të përçmojë apo ironizojë apo edhe me keq të fyejë mua, aq me tepër në televizionin e tij kur nuk jam i pranishëm në studio. Apo prapë me tepër kur tema e emisionit nuk ishte Nikoll Lesi.

Unë prej vitesh jam tërhequr në jetën time dhe mundohem të mbajë gazetën që themelova me 11 maj 1991, e besoj me 11 maj të këtij viti kur mbushen fiks 30 vite si gazeta e parë e pavarur shqiptare, do ta mbyll gazetën si print. Por do ta mbajë në versionin online. Mundet dhe një televzion në kushtet e një teknologjie të re.

Kaq takat kam dhe nuk vuaj nga pallatet e shumta apo fshatrat turistikë që ka Sandri.

E fundit, Sandri duhet të kuptojë se nuk është leku gjithçka në këtë botë. Njeriu ruan disa vlera brenda vetvetes, sepse ato e lartësojnë dhe jo mali me lekë!

Kaq për sot!



Më të lexuarat