Prapaskena

Vasjari: Basha të largohet, ADN e tij s’ka lidhje me PD! Minxhozi: Ishte projekt i dështuar i Berishës

Publikuar: 27/04/2021

Humbja e kreut të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit është komentuar këtë mbrëmje në studion e “News24”, nën moderimin e gazetarit Sokol Balla.

Analisti Arjan Vasjari është shprehur se me këtë humbje Basha duhet të iki nga drejtimi i PD, pasi sipas Vasjarit, në ADN-në e tij, ai nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike.

“Modeli i z. Basha nuk mund të ishte dot një model fitues. Z. Basha e denatyroi Partinë Demokratike si strukturë politike. Nëse ti ndërton një model politik, që nuk ka lidhje me historinë e PD, nëse ti militantëve të PD nuk iu ofron asgjë, praktikisht do të thotë që ti mor zotëri i dashur në ADN tënde nuk ke lidhje me këtë parti. Nëse nuk shihet me sy se çfarë marrëdhënie të brendshme ka Basha me PD, është e kotë të merremi me këtë. Nuk është në ADN-në e tij.

Nuk mund t’i shmang dot bilancet e PD. Për ta parë realisht në sy gjithçka, do të themi që PD sot ka vetëm 59 mandate, dhe po flasim për mandatet e PD, nëse ne do të gënjejmë vetëm se duke i shtuar edhe ato të LSI, PD do të shkojë te 63 mandate, praktikisht ne themi një gënjeshtër, sepse jemi në një aleancë atipike. Mund të më thoni se në ç’pika, në ç’filozofi, pucen PD me LSI? Nëse lidershipi i partisë nuk ndërton një sinergji, që z. Basha nuk e bën dot më, gjëja më normale është që të iki. Z. Basha ka humbur në vijimësi zgjedhjet dhe pas një rezultati të tillë, duhet të ikë. Nëse z. Basha ka pasur synim të jetë parti e dytë, ja ka arritur. Nuk ka ndërtuar dot një filozofi të tijën në PD, nuk ka fituar pushtet”, tha Vasjari.

Edhe analisti Skënder Minxhozi mendon që Basha duhet të largohet nga drejtimi i PD pas kësaj humbjeje, ndërsa thekson se ai ishte projekt i dështuar në politikë i Sali Berishës.

“Zyra që Basha gjeti ishte dhe mbeti problemi i madh që Basha nuk e zgjidhi dot. PD që drejtohej nga një lider historik shumë autoritar, papritmas iu dha në dorë një djali, i cili u desantua në parti, u soll nga jashtë, ishte krejt pa përvojë. Do të thotë një ngjitje spektakolare e një njeriu, në një hark të shkurtër kohor. Lulzim Basha ishte një projekt i dështuar në politikë i Sali Berishës. Në këto 8 vite, Basha doli nga vetja dhe sot u ndodh pa një identikit të vetin. Mendoj se ai nuk e gjeti dot veten”, u shpreh Minxhozi.



Më të lexuarat