Drejtori i Tv Klan, Aleksandër Frangaj, u shpreh mbrëmjen e sotme se Partia Demokratike nuk kishte asnjë mundësi që të fitonte ndaj PS në zgjedhjet e 25 prillit, pasi Basha ishte në koalicion me Ilir Metën.
Ai tregoi në emisionin “Opinion” se këtë e treguan edhe sondazhet që Tv Klan kishte bërë, por që nuk u publikuan kurrë. Sipas tij, Rama u tha shqiptarëve se vota për Lulzim Bashën do të ishte një votë për kovën me mut, duke iu referuar Metës, ndaj edhe qytetarët nuk e votuan Partinë Demokratike.
“PD në këto zgjedhje nuk e mundte dot PS, ne e dimë shumë mirë. Nuk po përmend sondazhet e tjera, por Tv Klan ka bërë vetë 2 sondazhe dhe rezultati është ky kokë më kokë. Kompania që ne e kontraktuam është një nga më të mëdhatë, por ne nuk e publikuam.
Në sondazh, kryetari i PS, Edi Rama, është shumë pikë mbi Lulzim Bashën, si pëlqyeshmëri publike. Si mundet një kryetar i opozitës që e ka pëlqyeshmërinë më të ulët se kryeministri, si mund ta mundësh atë që është më i pëlqyer.
Për sa kohë Basha ishte në koalicion me Ilir Metën, nuk kishte asnjë shans që të marr vota. Strategjia që ndoqi Rama, ka ardhur si rezultat i sondazheve të tij, ku njeriu më negativ ndër politikanët shqiptarë ishte Ilir Meta, me 80%. Lul Basha nuk dilte negative. Basha si individ kishte një pëlqyeshmëri por jo negativitet të skajshëm si Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
Edi Rama kishte nga një anë një kovë me, s’po ia them emrin, ndërsa kishte edhe këtë djalin e mirë. U përpoq dhe i bëri bashkë. Vota për Lulin tha, është votë për këtë kovën me mut. Një pjesë e shqiptarët thanë “unë do ia jepja votën Lulit po mos të jetë me Monikën”, tha Frangaj.