Procesi i numërimit po vazhdon në të gjithë vendin që prej mbylljes së kutive mbrëmjen e djeshme. Gazetarja e ABC Esiona Konomi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raporton për rezultatet e deritanishme. Në qarkun e Shkodrës deri tani dominon Partia Demokratike me 5 mandate, ndjekur nga socialistët me 4 mandate. Një vend në kuvend në kryeqendrën e Veriut deri tani e kanë siguruar edhe LSI dhe PSD. Por nëse kjo e fundit rritet mund të marrë një tjetër mandat duke rrezikuar mandatin e 4 të PS, ku renditet Ilir Beqaj. Nëse ndodh ky skenar, Beqaj duhet të thyejë herësin që të sigurojë mandatin.
Në qarkun e Kukësit deri tani nuk ka surpriza ku PD ka dy mandate, ndërsa PS një. Dibra deri në këto momente ka sjellë kthesë sa i përket ndarjes mes PS dhe PD ku socialistët kryesojnë me 3 mandate ndërsa PD ka dy mandate. Në Lezhë PD është në avantazh me 4 mandate, ndërsa PS ka 3 sipas numërimeve të deritanishme.
Durrësi ruan epërsinë e socialistëve me 8 mandate deri tani, ndërsa demokratët kanë 6 deputetë. Por LSI nga ana tjetër është afër marrjes së një mandati. Nëse ajo arrin të marrë një mandat deputeti, i merr PS-së të fundit në listën fituese paraprake që është mandati i Edi Ramës. Në këtë rast, sipas projeksionit të deritanishëm Rama rrezikon mandatin në Durrës, në rast se nuk thyen herësin. Në kryeqytet, PS ka deri më tani 19 mandate, ndjekur nga PD me 14 mandate dhe LSI e PSD me nga një mandat.
Ndërsa Fieri deri më tani kryesohet nga socialistët me 9 mandate, 6 për PD dhe një për LSI. Vlora rendit të parët socialistët me 8 mandate, ndërsa demokratët sipas shifrave të deritanishme të publikuara nga KQZ kanë 4 mandate. Surprizë mund të jetë LSI, e cila nëse arrin të rritet edhe pak në orët në vijim mund të marrë mandatin e tetë të socialistëve.
Në Elbasan deri tani PS ka 9 mandate ndërsa PD 5, por diferenca mes tyre në një mandat është shumë e vogël dhe mund të ngushtohet në 8 me 6. Diferencë e vogël është edhe në Korçë mes dy partive më të mëdha, ku PS ka deri tani 6 mandate ndërsa PD ka 5. Nëse LSI arrin të marrë më shumë vota PD dhe PS mund të arrijnë në barazim 5 me 5. Në Berat deri tani PS ka katër mandate, PD ka dy mandate, ndërsa LSI ka një mandat. Socialistët ruajnë avantazhin edhe në Gjirokastër me 3 deputetë, ndërsa demokratë deri më tani kanë një mandat.