Prapaskena

LSI dhe Ilir Meta, kurbani i 25 prillit!

Publikuar: 26/04/2021

Sa më shumë vijon numërimi i votave në mbarë Shqipërinë, aq më shumë thellohet rezultati i Partisë Socialiste, kundrejt koalicionit Aleanca për Ndryshim, e përbërë nga dy partitë e mëdhaja, PD-LSI, dhe aleatët e tyre më të vegjël.

Disa bashki kanë përfunduar tashmë numërimin, duke konfirmuar fitoren bindëse të PS, ku në shumë raste shihet edhe një rritje e PD, por zhgënjyese këto zgjedhjet duket se do të jenë për LSI, partinë e themelluar nga Presidenti Ilir Meta dhe e drejtuar tashmë nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.

Nën drejtimin e kësaj të fundit, gjatë këtyre viteve që Meta mban postin e Kreut të Shtetit, LSI ka shënuar një rënie të tmerrshme, duke çuar kështu në “vdekjen” ekzistenciale të kësaj force politike.

“Vite vrastare” mund t’i cilësojë kushdo këto vite për LSI, që pas zgjedhjeve të 25 prillit, mund të zhduket nga sfera politike. Por, “vrasja” e LSI mund të mos shoqërohet vetëm me zhdukjen e kësaj partie, por pritet të bëjë edhe “kokë turku”.

Dhe sigurisht, bashkë me LSI në rrezik është edhe fati i Presidentit të Republikës, Ilir Meta, dhe këtë e dëshmon më së miri “tërbimi” i tij kohët e fundit. Me një sjellje anormale për një President, me deklarata tronditëse, si “mprehni sfurqet e sëpatatë”, Ilir Meta nuk bëri asgjë tjetër, veçse i bëri “gropën” vetes.

Tashmë, në lojë është fati i tij politik! Dhe e vërteta është se Ilir Meta nuk do të qëndrojë gjatë i ulur në kolltukun e pushtetit. Nëse ai nuk do të japë dorëheqjen, siç e ka paralajmëruar, fati i tij do të jetë në duart e qeverisë së re, që sigurisht nuk do ta kursejnë aspak, në mos më keq, në duart e SHBA.

Deklaratat e forta të ambasadores Yur Kim treguan mjaft qartë se SHBA e ka futur tashmë Presidentin shqiptar të sfurqeve e sëpatave në “Rrethin e zi” dhe, për rrjedhojë, fundi i tij nuk është i largët!/Prapaskena



Më të lexuarat