Në shtator të vitit 2020, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për klimën e investimeve në Shqipëri. Në raport, referohej edhe çështja e skandalit Duty Free, ku theksohej se investitorë amerikanë u sfiduan nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesit.
Në raport thuhet se “Investitorët amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme tregtare jo vetëm me njësite publike, por dhe me ato private. Investimi i një kompanie amerikane u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara”.
Po cilat ishin këto vendime gjyqësore dhe veprime të njësive publike dhe cilat ishin veprimet e dyshimta të palëve të njësive private?
Janë vendimet skandaloze të dy gjyqtarëve pa Veting, Avni Sejdi dhe Mimoza Kajo Brahimi, në favor të gruas së Gjin Gjonit, për të mbajtur nën kontroll hapësirat Duty Free në Rinas, përfshirja komprometuese e ish-zëvendësministrit Financave Elton Haxhi i cili i firmosi gruas së Gjin Gjonit licencën për 24 orë, veprimtaria e cila mund të sjellë një tjetër ndëshkim nga arbitrazhi ndërkombëtar.
Bëhet fjalë për skandalin e famshëm ‘Duty Free’, në vjeshtën e vitit 2019, për të cilin pati reagime të forta të rangut ndërkombëtar. Amerikanët tashmë kërkojnë 20 milionë USD në arbitrazhin ndërkombëtar, pasi fituan tenderin dhe lidhën kontratën për menaxhimin e hapësirave Duty Free, por që ambientet ua mori kompania e gruas së Gjin Gjonit.
Në skenë segmente të drejtësisë
Në vjeshtën e vitit 2019, çështja tërhoqi vëmendjen e mediave vendase dhe atyre ndërkombëtare, duke qenë se ADFD-ja është në zotërim të Elona Çaushit, bashkëshortes së gjyqtarit Gjin Gjoni, një emër i përfolur i sistemit të drejtësisë shqiptare.
Duket që kjo gjë ndikoi që Ministria e Financave të anulonte licencën, duke qenë se ndër të tjera, kompania ADFD nuk kishte më një kontratë qeraje me TIA-n.
Por lëvizjet e Ministrisë u bënë shkas që Albania Duty Free Distribution, të ngrinte një tjetër padi, kundër heqjes së licencës. Gjyqtari Avni Sejdi vendosi pezullimin e efekteve të vendimit të ministrisë, deri në zgjidhjen e çështjes në themel, në shkurt të vitit 2020.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim i tha në atë kohë se çështja gjyqësore, lidhur me administrimin e e zonës së dyqaneve “duty free” në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, e cila po mban pezull fillimin e aktivitetit të kompanisë amerikane International Cruise Duty Free, ICDF, e shpallur fituese e garës së hapur nga aeroporti, “është një lakmus për mjedisin e biznesit dhe aftësinë e Shqipërisë për të tërhequr dhe mbrojtur investimet e huaja direkte”.
Drejtori i TiA-s, Costantin von Alvensleben lojë të dyfishtë me çiftin Gjoni-Çaushi
Drejtori i Aeroporti Ndërkombëtar të Tiranës Constantin von Alvensleben, i përfshirë në disa skandale, ka hyre negociata me Elona Çaushin dhe me Gjin Gjonin, në një kohë kur TIA vazhdonte procesin gjyqësor për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.
Me anë të kësaj letre, që mban datën 3 tetor 2019, Constantin von Alvensleben i konfirmon Elona Çaushit dëshirën e mirë për të hyrë në bisedime, për çështjen e ambienteve Duty Free në aeroport, ndërkohe që kishte detyrim ligjor t’i dorëzonte ambientet kompanisë amerikane,
Në të njëjtën kohë, paralel me ketë, Drejtori i Aeroporti Ndërkombëtar të Tiranës Costantin von Alvensleben , i dërgonte letra kompanisë amerikane ICDF, duke u premtuar për zgjidhje të çështjes dhe garantuar që TIA do të zbatonte kontratën që kishte lidhur me amerikanët për menaxhimin e ambienteve, kontratë të cilën kompania e gruas së Gjin Gjonit, arriti të sabotonte.
Me shkresën nr. 3181/1 të datës 1 tetor 2019, në vijim të vendimit të ministrit nr. 94, datë 30.09.2019 “Për anulimin e licencës së ADFD, Drejtoria e Përgjithshme i Doganave njoftonte ADFD dhe TIA që të merrnin masa të menjëhershme për lëvizjen e mallrave jashtë ambienteve të uzurpuara nga ADFD brenda terminalit të Rinasit, pasi mbajtja e këtyre mallrave në atë ambient pa licencë, ishte në shkelje flagrante te ligjit.
Shkresa e firmosur nga kryetari i Doganës së Rinasit Helidon Bele përfundon me “mosmarrja e masave të menjëhershme nga ana juaj për dhënien e destinacionit të mallrave, ju ngarkon me përgjegjësi”.
Ndërkohë që shkresa shprehte qartësisht emergjencën e lëvizjes së menjëhershme, drejtori i TIA-s Costantin von Alvensleben nuk ndërmori për 8 ditë rresht, asnjë veprim për të liruar ambientet e Duty Free, të cilat sipas kontratës lidhur me ICDF, i takonin kësaj të fundit.
Costantin Von Alvensleben kishte në dorë autorizimin nga Drejtoria e Doganave dhe Drejtoria e Policisë Rinas për të vepruar lirisht me ambientet në aeroport, përkatësisht me lirimin e tyre nga ozurpimi i gruas së Gjin Gjonit, të cilës i kishte përfunduar kontrata që me 29 gusht 2019, por çuditërisht nuk mori asnjë veprim në ketë drejtim, duke i dhëne ADFD kohën e nevojshme për të masë sigurie nga gjyqtari Avni Sejdi, i përfshirë në këtë konflikt. Këto lëvizje krijojnë dyshime të forta se Costantin von Alvensleben nuk e ka pasur asnjëherë seriozisht betejën kundër Gjin Gjonit dhe Elona Çaushit për t’i larguar nga Rinasi.
Paralajmërimi i presidentit të kompanisë amerikane
Në nëntor të vitit 2019, presidenti i kompanisë amerikane International Cruise Duty Free, Lucio Suoto, përmes një letre, paralajmëroi pasojat që do të vinin nga vendimet e gjykatave shqiptare, sipas tij në shkelje të çdo parimi biznesi.
Lucio Suoto, u shpreh se pas shumë sipërmarrjeve të suksesshme në mbarë botën, nuk e ka gjetur veten asnjëherë në një situatë të tillë si në Shqipëri, ku një kompani fiton tenderin dhe lidh kontratën, dhe një kompani tjetër mban ambientet me vendime gjykatash.
“Ky vend zhgënjeu investimin dhe principet tona. Dhe ky zhgënjim ka koston e tij, jo vetëm për kompaninë tonë. Sepse ka kosto të tjera nëse Ministria lëshon një licencë pa shqyrtuar dokumentet apo nëse gjykata merr vendime duke shkelur çdo parim biznesi. Ka kosto për qeverinë shqiptare, e cila së fundmi humbi një çështje në gjykatë ndërkombëtare kundër një tjetër kompanie të huaj. Ka edhe kosto që i ndajmë me qytetarët shqiptarë, sepse kjo çështje është më shumë se një investim i huaj i humbur, por është edhe çështje e së ardhmes që këta qytetarë meritojnë…”, ka pohuar Lucio Suoto.
Kompania amerikane International Cruise Duty Free, e cila fitoi tenderin dhe lidhi një kontratë me TIA-n, në korrik të vitit 2019, për menaxhimin e ambienteve Duty Free (dyqaneve pa taksa) në Aeroportin e Rinasit, kërkon mbi 20 milionë USD dëmshpërblim, pasi dyqanet ‘ia rrëmbeu’ gruaja e Gjin Gjonit, Elona Çaushi, përmes vendimeve të kontestuara të gjykatave dhe zyrtarëve të administratës shtetërore si dhe veprimeve te dyshimta te Drejtorit te TIA-s .
Çështja shkon në arbitrazh
Shqiptarja.com, e cila publikoi dhe ndoqi skandalin në vjeshtën e vitit 2019, mëson se amerikanët e International Cruise Duty Free kanë vënë në lëvizje Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICC), duke kërkuar mbi 20 milionë USD dëmshpërblim për dyqanet që akoma dhe sot kontrollohen gruaja e Gjin Gjonit, Elona Çaushi, ndonëse humbi tenderin dhe i kishte mbarur kontrata me TIA-n që në 27 gusht 2019.
Fillimisht, Tirana International Airport (TIA), koncensionari që menaxhon Aeroportin Rinasit, i kërkoi kompanisë së Elona Çaushit të largohej nga aeroporti pasi kishte humbur tenderin dhe se i kishe mbaruar kontrata. Por, çifti Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi kishin avancuar me lëvizjet në prapaskenë, duke përgatitur terrenin me një sërë manovrash, për të mbajtur dyqanet me çdo kusht, ndërkohe qË TIA duhet t’ia dorëzonte ambientet kompanisë amerikane ICDF që në 15 shtator 2019.
Nëse arbitrazhi do të vendosë në favor të amerikaneve, kostoja do të jete mbi 20 milionë USD. Kjo kosto vjen nga manovrat e klanit ‘Gjoni’ me gjyqtarë dhe ish-zëvendësministrin e Financave, Elton Haxhin, i cili i rinovoi autorizimin ADFD –së për aktivitetin Duty Free, brenda 24 orësh dhe në shkelje flagrante të ligjit, duke i krijuar një alibi gruas së Gjin Gjonit që të mbante dyqanet me vendime gjykatash. Kjo kosto vjen nga veprimet dhe mosveprimet e drejtorit te Tias Costantin von Alvensleben, i cili direkt dhe indirekt ka suportuar manovrat e çiftit Gjoni-Çaushi . (Shqiptarja.com)