Prapaskena

Arrestohet në Brazil një nga trafikantët më të mëdhenj të armëve në botë, u arratis nga burgu 5 muaj më parë

Publikuar: 24/04/2021

Arrestohet në Brazil një nga trafikantët më të mëdhenj të armëve në botë, pesë muaj pasi ai u arratis nga burgu duke përdorur një dokument të rremë të lirimit të parakohshëm.

João Filipe Barbieri u dënua për pjesëmarrje në një bandë që kontrabandonte qindra pushkë nga SHBA-ja, të fshehura në pajisjet e pishinës.

BBC shkruan se Barbieri u gjet në shtëpinë e nënës së tij në një lagje të varfër afër Rio de Janeiro. Udhëheqësi i bandës është njerku i tij, i cili njihet si Lordi i Armëve.

Banda u godit në vitin 2017 pasi një kontejner me 60 pushkë të stilit ushtarak që ishte dërguar nga Miami u përgjua në aeroportin ndërkombëtar të Rios. Autoritetet thonë se armët iu ishin shitur trafikantëve të drogës që veprojnë në shumë lagje të varfëra të Rios, të njohur si favelas.

Barbieri, i konsideruar si një nga anëtarët kryesorë të bandës, u dënua më pas me 27 vjet burg për disa akuza, përfshirë trafikun e armëve. Por në nëntor të vitit 2020 ai arriti të dilte nga një burg i sigurisë së lartë në Rio, pasi falsifikoi një dokument gjyqësor për të urdhëruar lirimin e tij të parakohshëm.

Shefi i policisë Mauro César në një konferencë për shtyp tha se Barbieri më pas e kaloi kohën në tre shtete të ndryshme por iu mbaruan paratë. Kështu ai u kthye në Rio për të kërkuar rreth 500 mijë reais (90 mijë dollarë) që ia kishin borxh trafikantët e drogës por ai ishte nën mbikëqyrjen e policisë.

Ai u arrestua në një operacion policor të mërkurën në qytetin Niterói, që ndodhet 9 kilometra nga Rio.

Njerku i Barbierit, Frederick Barbieri, u arrestua në SHBA në vitin 2017 pasi dërgesa me armë u përgjua në Rio. Ai pranoi të ketë kontrabanduar më shumë se 1 mijë pushkë në Brazil midis viteve 2014 dhe 2017 dhe tani po vuan një dënim me 13 vjet burg në Miami.



Më të lexuarat