Kryeministri Edi Rama thotë se ndjesa e kandidatit të Partisë Demokratike për Dibrën Xhelal Mziu nuk vlen.
“Ndjesa e këtij trogloditi nuk vlen asnjë qindarkë! Ky është një subjekt i vetëdeklaruar i drejtësisë penale, ndërsa kjo soj politike duhet të jetë subjekt i drejtësisë popullore në 25 Prill! Kush vjen në pushtet duke vrarë, dhunuar e kërcënuar edhe pushtetin e ushtron duke vrarë, dhunuar e kërcënuar”.
Në një reagim në rrjetet sociale Rama thotë se i takon popullit që ditën e zgjedhjeve të reagojë kundër atyre që duan të kthejnë vendin pas.
“Populli duhet t’u tregojë këtyre gangove me kravata dhe atyre që janë armatosur për të sjellë ndryshimin së prapthi në Shqipëri, se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kthehen më mbrapsht! Në 25 Prill votohet për fëmijët që s’kanë të drejtë vote, por që asnjë borxh nuk u kanë prindërve të tyre kthimin e reve të zeza të së shkuarës mbi kokat e tyre”.
Një reagim pas deklaratave të Mziut bëri edhe ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim. Ajo thotë se i vjen mirë të shohë ndjesë të qartë, por apelon që ajo që ndodhi në Elbasan të mos përsëritet.
“Dhuna e ushtruar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet. Ditët e grupeve të armatosura me simbolet e çdo partie që “patrullojnë” rrugët i përkasin së shkuarës të shkuarës së shëmtuar që të gjithë ne duhet ta refuzojmë”.
Ambasadorja amerikane thotë se incidenti i Elbasanit nuk duhet të përdoret për të sulmuar me egërsi njërën apo tjetrën palë, për të nxitur emocione mes mbështetësve, por përkundrazi, ai duhet t’i bëjë të gjithë udhëheqësit të reflektojnë.