Policia e Dibrës ka nisur një procedim penal ndaj kandidatit për deputet të Partisë Demokratike për këtë qark, Xhelal Mziu. Ai akuzohet për “thirrje për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”.
Shkak është bërë një deklaratë shokuese e tij në një takim elektoral në zonën e Maqellarës ku sipas policisë ka kërcënuar dhe ka bërë thirrje për të nxitur dhunë duke bërë prezente ngritjen e grupeve të gatshme me pretendimin e mbrojtjes së votës.
Mziu thotë se mund të përsëritet edhe ajo që ndodhi në Elbasan.
“Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot dhe në vazhdim çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë njësoj si ai i Elbasanit”.
Por një ditë më pas Mziu ka bërë një hap prapa duke kërkuar ndjesë për deklaratën.
“Me sinqeritetin më të madh, shpreh keqardhjen time dhe pendesën time për komentin tim të panevojshem dje, për shkak të emocioneve të forta të momentit. Dua të jem i qartë: unë mbështes zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jam kundër dhunës! Jam penduar thellë për komentin tim dhe kërkoj ndjesë para gjithë shqiptarëve”.
Ngjarja e Elbasanit tensionoi ndjeshëm situatën politike duke shënuar incidentin më të rëndë të fushatës elektorale.