Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në “News 24”, deklaroi se në fushatën që po bën, vë re se ka një frymë që kërkon rotacion pushteti.
“Fushata ka qenë e qetë, edhe për shkak të pandemisë nuk kishte takime me numër të madh njerëzish. E lodhshme natyrisht, sepse kemi zhvilluar takime me grupe të vogla. Ambienti s’ka qenë i egër, siç jemi mësuar të shohim në Durrës. Aty-këtu ka elementë që duan të favorizojnë, sidomos Rilindjen. Ka entuziazëm popullor, ka frymë që kërkon rotacion pushteti dhe kjo ka kërkuar ambient mbytës për elementët që mund të gjenden aty-këtu. Shpresoj që të kemi zgjedhje të qeta e të lira. Në Dibër u kap një makinë me para, për të blerë vota. Kjo tregon se edhe gjithë populli është ndërgjegjësuar për shit-blerjen e votës”, tha Duka.
Agron Duka thekson se Durrësi është kthyer në një masakër urbane, duke shtuar se qyteti ka nevojë edhe për bonifikim.
“Durrësi ka një masakër urbane, me rrugë të ngushta dhe trotuare me gjerësi të tepërt. Bonifikimi i Durrësit është shumë keq. Në sektorin Rinia, kolektori kishte 15 vjet pa u pastruar, në kolektor kishin mbirë pemë. Durrësi ka nevojë për një kryebashkiak normal, duhet të merret edhe me bonifikimin. Qyteti ka nevojë për bonifikim. Te Veleria është bërë shpenzim i madh, me një hekur aty, që ka prekur edhe arkitekturën e vjetërsinë. Turisti nuk vjen të shikojë hekurat, por trashëgiminë kulturore e historike të Durrësit”, u shpreh Duka.