Vrasja e Pjerin Xhuvanit dje në Elbasan, ka zbuluar një skandal të rëndë kombëtar. Partia Demokratike ka ngritur një grup të armatosur për mbrojtjen e votës në 25 prill, grup paralel me strukturat e shtetit me mercenarë nga Veriu. Quhet “Struktura për Mbrojtjen e Votës” (SMV). Lajmi është bërë publik me zë dhe me figurë nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi duke bërë me dije se Arbër Paplekaj që vrau Xhuvanin te paarmatosur, ishte pjesë e kësaj strukture.
Sipas Bardhit, vrasësi Arber Paplekaj “është pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votës në Elbasan. Ai nuk është kriminel. As vrasës. Është ish-efektiv i Policisë së Shtetit dhe ish-shoqërues në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Për shkak të punës që kryen në këtë moment disponon armë me leje nga Policia e Shtetit. Strukturat e Mbrojtes së votës, kanë në përbërje ish-punonjës të Policisë së Shtetit”.
Pjesë e të njëjtës strukturë (paraushtarake) “SMV” që Bardhi pranon publikisht që është krijuar janë edhe dy nga katër të plagosurit, Pavlo Vuksani dhe Emiljano Prenga, edhe ata ish-punonjës të Policisë së Shtetit. Ndryshe nga sa pretendon Bardhi në këtë deklaratë të tijën të orëve të vona, që bëhet fjalë për persona pa precedentë penalë, Emiljano Prenga rezulton arrestuar dhe inkriminuar në 2017.
Struktura për Mbrojtjen e Votave përdor furgonë të njëjtë si dy mjete të sekuestruar në Elbasan pas përleshjes me armë, me të cilët ky grup paraushtarak patrullon qytetet duke pretenduar se garanton votën e lirë. Në dallim nga një forcë e rregullt policie private, struktura e Mbrojtjes së Votës e krijuar nga PD duket si një organizëm i paligjshëm që ka punësuar ish-policë që lëvizin të armatosur, por pa asnjë rregull dhe kod. Sipas Bardhi struktura eshte e shtrire ne te gjitha qarqet.