Prapaskena

Vrasja në Elbasan, gazetari: U plagos dhe u arratis, kush është personi që po mjekohet fshehurazi?

Publikuar: 22/04/2021

Ngjarja kriminale që tronditi sot Elbasanin nuk ka katër të plagosur, por pesë. Gazetari Spartak Koka deklaroi se një person tjetër është plagosur dhe po mjekohet fshehurazi.

“Janë 5 persona deri më tani të shpallur në kërkim, njëri prej tyre dyshohet të ketë mbetur i plagosur në vendngjarje dhe po merr mjekim, sipas informacionit operativ, po merr mjekim fshehurazi. Po punohet nga strukturat e policisë për ta kapur, por dyshohet se po mjekohet në mënyrë të fshehtë” tha Koka.

Por si ndodhi ekzekutimi në Elbasan?

Mesditën e sotme rreth orës 14:00 në lagjen “5 Maji” përpara zyrës elektorale të PD-së në Elbasan ndodhi përplasja me armë me prapavijë politike. Në përfshirë ishin dy grupe, PS dhe PD. Nga grupi i PS-së, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit humbi jetën Pjerin Xhuvani dhe u plagos dhëndri i tij Eltjon Bodinaku.

Jo zyrtarisht gazetari Spartak Koka tha se një tjetër person është plagosur dhe po mjekohet fshehurazi në shtëpi.

Ndërkohë që nga grupi i PD-së u plagosën Emiljan Prenga 39 vjeç dhe Pavlo Vuksani 50 vjeç. Autori i vrasjes së Xhuvanit sipas policisë është Arbër Papleka, gjithashtu pjesë e PD-së në Elbasan.

Konflikti mes palëve nisi pas denoncimit të grupit të PD-së se në zonën e “5 Majit” po lëvizte një makinë ku socialistët po shpërndanin lekë për zgjedhjet.

Në kërkim për ngjarjen është shpallur Kelmend Xhaferri i njohur edhe si Kel Çami.



Më të lexuarat