Rindërtohet skena e ngjarjes së armatosur në Elbasan që solli vrasjen e 56-vjeçarit Pjerin Xhuvani dhe plagosjen e 4 personave. “BalkanWeb” raporton se policia ka mundur të rindërtojë ngjarjen pas pyetjes së disa prej personave të pranishëm gjatë konfliktit.
Ashtu siç u deklarua dhe më herët, 20 minuta para krimit strukturat e PD në Elbasan kanë njoftuar policinë se një mjet pa targa po shpërndante para dhe po blinte vota.
Me furgonat me logon e PD i është bllokuar rruga kësaj makine dhe palët kanë qenë në pritje të policisë.
Më pas drejtuesi i mjetit pa targa është sharë me fjalë banale me ish-punonjësin e policisë dhe situata precipitoi në përdorimin e armëve të zjarrit.
Dëshmitarët kanë parë Paplekajn të pozicionohet me një gju në tokë dhe të kryejë qitje. Gjithçka ka ndodhur pak minuta pasi ka mbërritur policia dhe ngjarja u zhvillua në pak sekonda.
Policja e plagosur Xhensila Sota ka qenë e pozicionuar në krah të rrugës së bashku me dy zëvendës drejtorët dhe dyshohet se është plagosur nga një plumb rikoshet.
Arma e ish-policit Paplekaj është sekuestruar nga policia, ndërsa pistoleta tjetër nga e cila dyshohet se është kryer qitje nuk është gjendur dhe nuk dihet nga kush është përdorur.
Ndërkaq janë sekuestruar dhe mjetet në vendngjarje, ndërsa nga kontrolli i mjetit pa targa janë gjetur vetëm postera. Veprimet hetimore për krimin që tronditi Elbasanin, por jo vetëm, po kryhen në drejtim të Prokurorisë Elbasan.