Në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës janë publikuar vendimet që janë marrë nga mbledhja e djeshme e kabinetit. Një prej dokumenteve të publikuara, ishte firmosur nga kryeministri Albin Kurti, edhe pse në letër shkruhej emri i paraardhësit të tij, Avdullah Hoti.
Sot për mediat ka reaguar zëdhënësi i tij për shtyp, Përparim Kryeziu ka drejtuar gishtin nga administrata në Zyrën e Kryeministrit, duke i akuzuar se po publikojnë dokumente në media.
“Që nga fillimi kryeministri Kurti dhe kabineti i tij sfidohen nga individë ende të panjohur nga administrata e Zyrës së Kryeministrit. Vendimet dhe emërimet e nënshkruara nga ai, shpesh, vazhdimisht dhe në mënyrë të organizuar rrjedhin në media para se të ndahen me zyrtarë të brendshëm, dhe madje përgatiten shkresa me gabime teknike. Kapësit politikë të shtetit i kemi larguar me 14 shkurt dhe 22 mars, por sigurisht se ka shumë të tillë nëpër zyrat e shtetit”, ka shkruar Kryeziu.