Presidenti Ilir Meta ashpërson tonet ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e quajtur atë “rrugaç” që para tij sillet si lepur.
“Ti që thua di unë për Ilir Metën. Ça di ti more rrugaç për Ilir Metën. More vagabond për Ilir Metën ti. Ti para Ilir Metës sillesh si lepur, edhe para kriminelëve dhe horrave. Ta vënë pistoletën te gjuri dhe të marrin leje dhe licensa.
S’të njeh Ilir Meta ty, s’të njeh Tirana ty. Boll i mashtrove socialistët. Nuk kanë më vota socialistët për ty se i ke mashtruar me kohë”, iu drejtua Meta Ramës.
“Nuk e ndryshon dot rezultatin e zgjedhjeve”, vijoi kreu i shtetit, duke theksuar se Shqipëria do ta thotë fjalën e saj në 25 prill si asnjëherë tjetër. “Unë e ftoj Edi Ramën të reflektojë sa nuk është vonë”, shtoi Meta.
Presidenti pati dhe një mesazh për ndërkombëtarët. “I bëj thirrje ndërkombëtarëve të jenë më parimorë dhe të reagojnë në kohë. Nëse nuk do kishin toleruar shkeljen e njëanshme të 5 Qershorit, situata do të kishte qenë më e mirë prej kohësh”, tha Meta.