Le të kalojmë më në jug të vendit, në qarkun e Gjirokastrës, ku janë vetëm 6 kandidatë për LSI. Në analizën e listës ajo që na tërhoqi vëmendjen është kandidatja me numrin dy në listë, Myrvete Asqeri. Kjo kandidate është 39 vjeç dhe ka lindur në Gjirokastër. Deri këtu jemi në rregull, por ajo që na ngriti pikëpyete është mënyra se si është arsimuar Myrvetja.
Sipas CV të plotësuar nga vetë ajo rezulton se një herë ka mbaruar shkollën e lartë e më pas ka mbaruar gjimnazin.
Nga viti 2000 deri në 2004, në cv tregon se ka marrë diplomën në kontabilitet financë në Universitetin e Gjirokastrës. Ndërkohë nga viti 2009 deri në 2012 në cv shkruhet se ka mbaruar shkollën e mesme të përgjithëshme “Asim Zeneli” po në Gjirokastër.
Nuk dimë nëse jemi para një falsifikimi apo lapsusi, për mënyrën si është arsimuar. Por referuar atyre që vetë kjo kandidate ka shkruar, rezulton se ajo ka marrë në fillim diplomën e shkollës së lartë e më pas ka kryer shkollën e mesme.