Fryma e Re Demokratike e drejtuar nga Sali Shehu, parti në koalicion me opozitën në 25 prill, ka reaguar për skandalin e publikuar dje në media, me zë dhe figurë, ku shfaqej nënkryetari i saj Ilir Hodaj teksa ngacmonte seksualisht një qytetare dhe i premtonte vende pune dhe poste pas zgjedhjeve.
Ishte emisioni investigativ “Stop” që publikoi dje skandalin ku dukej qartë sesi Hodaj ngacmonte qytetaren në zyrën e tij, si dhe i kërkonte që të bëhej e dashura e tij pasi pas zgjedhjeve do ta bënte drejtoreshë.
Në deklaratën e FRD thuhet se Hodaj nuk ka lidhje me asnjë strukturë të Frymës së Re Demokratike por se është vetëofruar si vullnetar pranë zyrave të FRD-së në kohën e fushatës, dhe aktualisht kujdeset vetëm për gjeneratorin. Kësisoj FRD nuk përjashton dhe mundësinë që njerëz të tillë të jenë të infiltruar për të prodhuar skema skandalesh.
Në takim me Hodajn, vajza kërkon të angazhohet me punë në fushatë, por ngacmohet seksualisht nga zyrtari partiak. Hodaj kërkon ta puthë vajzën, e ofron edhe të pijë në zyrën e partisë.
Ai i thotë, se po të bëhet e dashura e tij, do të jetë drejtoreshë në administratën e ardhshme.
Vajza i kërkon kohë, duke i kërkuar të hapë derën e zyrës, që të ikë. Më pas ajo i dërgon një mesazh, duke kërkuar, që t’i gjejë punë në ekipin e kontrollorëve ajrorë.
Deklarata e plotë:
Deklaratë e Frymës së Re Demokratike mbi skandalin e përgjimit të transmetuar në emisionin “Stop”
Fryma e Re Demokratike distnancohet kategorikisht dhe prerazi nga çdo person, që tenton të njollosë FRD dhe fushatën e saj, e cila nuk ka lidhje dhe sjellje me akte të kësaj natyre gjatë gjithë jetës së saj politike.
Personi që paraqitet në emisionin “Stop”, nuk ka lidhje me asnjë strukturë të Frymës së Re Demokratike. Duke falenderuar emisionin “Stop” bëj me dije se, ky person është vetëofruar si vullnetar pranë zyrave të FRD-së në kohën e fushatës, dhe aktualisht kujdeset vetëm për gjeneratorin meqënëse nuk kemi drita.
Njerëz të tillë, mund të jenë infiltruar për të prodhuar skema skandalesh që, në rastin konkret, nuk kanë asnjë kontribut dhe përfshirje të mëparshme në strukturat e partisë, Fryma e Re Demokratike.
FRD është e hapur për të gjithë mediat dhe opinion publik që të verifkojnë listat e antarësisë, dhe aq më tepër të strukturave të FRD të degës Tiranë. Fryma e Re Demokratike është e hapur për çdo hetim të strukturave ligjzbatuese.
Fryma e Re Demokratike do të vazhdojë me dinjitet fushatën, pa asnjë kompromos me votën e lirë, në koalicionin Aleanca për Ndryshim, dhe askush nuk mund të cënojë apo të përbaltë këtë betejë të ndershme me elektoratin në mbarë vendin.