Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë i është përgjigjur në kohë rekord Prokurorisë së Përgjithshme duke i vënë në dispozicion të dhënat që disponon për Tom Doshin, i cili kandidon në zgjedhjet e 25 prillit në dy qarqe, në Tiranë e Shkodër, nën siglën e Partisë socialdemokrate.
Tom Doshi është shpallur person ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit, pasi ka dyshime për përfshirje në korrupsion dhe prej javësh ambasadorja Yuri Kim bën thirrje që kandidatëve me rekorde të tilla tu hiqet e drejta për të garuar në zgjedhje.
Për shkak të të dhënave të bëra publike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndonëse e regjistroi Doshin si kandidat në garën për 25 prillin, vendosi t’i drejtohet Prokurorisë duke i kërkuar ta verifikojë figuren e tij në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Sektori përkatës iu drejtua me shkresë disa institucioneve, përfshirë dhe ambasadën e SHBA në Tiranë, e cila pa humbur kohë i është përgjigjur interesit të institucionit të akuzës. Ndonëse përgjigja mbahet në sekret të plotë, zërat thonë se ambasada e SHBA ka “nxirë” figurën e Doshit me akuza të rënda. Nuk dihet nëse pas kësaj përgjigjeje, KQZ do ta pranojë kandidimin e Doshit në zgjedhje, por mësohet se pavarësisht administrimit të të dhënave nga ambasada, për Tom Doshin hetimet do të vijojnë, derisa të mbërrijë edhe përgjigja nga Interpoli, pasi për shkak të disa indicieve është dëerguar kërkesë për informacion.