Adriatik Doçi (Shqiptarja.com)
Vendimi i datës 16 prill 2021, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkalla e parë e Vetingut, për të shkarkuar nga detyra prokurorin e Tiranës Bledar Maksuti, i njohur si një ndër të pakët emra me integritet dhe të pakompromentueshëm në sistemin që po shembet, ka prodhuar reagime indinjuese dhe zhgënjim.
Pasuria modeste e prokurorit në raport me të ardhurat, vlerësimi pozitiv për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, si dhe fokusimi i Vetingut tek asetet e babai i tij që nuk jeton më, janë elementet që bëjnë vendimin e shkarkimit të çuditshëm.
Kur ka deklaruar për herë të parë pasurinë në vitin 2004, Bledar Maksuti kishte një pasuri familjare, të luajtshme dhe të palujtshme, me vlerë rreth 11 milionë lekë. Në vitin 2018, pasuria e tij familjare është në vlerën 24 milionë lekë. Pra, në harkun kohor të 14 viteve, pasurua e prokurorit është shtuar me 13 milionë lekë.
Pasuria e prokurorit rezulton se është rritur me më pak se 1 milionë lekë në vit, një vlerë kjo modeste për një funksionar drejtësie, aq më tepër që Maksuti, babai i tij dhe bashkëshortja kanë pasur të ardhura mujore mbi mesataren.
Pasuria e vetme e paluajtshme e prokurorit Bledar Maksuti është një garazh 6 mijë euro dhe një apartament në Tiranë, me sipërfaqe 133.4 m2, me vlerë 60 mijë euro, blerë me paratë e babait, krijuara me disa pasuri të shitura që kur Maksuti ishte student në Tiranë, pra para se të bëhej pjesë e drejtësisë.
Babai i tij rezulton se ka qenë prokuror për 30 vite gjatë sistemit komunist, ndërsa pas viteve ’90 ka punuar si avokat dhe noter. Kjo ishte arsyeja se pse procesi i Vetingut, si rrallë ndonjëherë, u fokusua tek babai i ndjerë i prokurorit, me paratë e të cilit ishte blerë apartamenti.
Trupa gjykuese e përbërë nga Suela Zhegu, Genta Tafa Bungo dhe Lulzim Hamitaj, gjatë prezantimit të gjetjeve të konstatuara nga verifikimi i pasurisë së prokurorit Bledar Maksuti, faktoi disa paskësi në deklarim rreth apartamentit, që u pranuan edhe nga vetë prokurori.
Por, në tërësi, të ardhurat e ligjshme të prokurorit, bashkëshortes dhe babait të tij, mbulonin dhe tejkalonin pasurinë.
Po çfarë ndodhi gjatë seancës dëgjimore? ILDKPKI kishte dërguar një raport në Komisionin e Vetingut, ku kostatonte se prokurori, në kontratën e sipërmarrjes, e kishte blerë apartamentin 5.2 milionë lekë dhe jo 60 mijë euro sa kishte deklaruar më vonë në deklaratën e pasurisë.
Institucioni i kontrollit të pasurive ngrinte dyshime se çmimi i pasqyruar në kontratë ishte më i vogël nga çmimi real, me qëllim shmangien e pagesës së një pjese të detyrimeve. Për të siguruar paratë për këtë apartament, prokurori ka shitur dy apartamente, një Peshkopi dhe një në Tiranë.
Por, sipas trupës gjykuese vlera e deklaruar për shitjen e dy apartamenteve është deklaruar më e ulët se vlera reale.
Në seancën dëgjimore u tha se vlera e shitjes së apartamentit në Dibër është deklaruar 2.5 milionë lekë, ndërkohë që në kontratë figuron 1 milion lekë. Ndërsa vlera e deklaruar për shitjen e apartamentit në Tiranë ishte 3.5 milionë lekë, por në kontratë pasyrohet 1.9 milion lekë.
Në bilancin financiar, KPK ka llogaritur vlerën e shitjes së dy apartamenteve sipas kontratës, duke e nxjerrë prokurorin me mungesë të ardhurash të ligjshme për blerjen e apartamentit në Tiranë. Trupa gjykuese i kaloi barrën e provës prokurorit për të justfifikuar diferencën negative në vlerë 4.5 milionë lekë.
Nga ana e tij, gjatë seancës dëgjimore, prokurori tha se nuk mund t’i kalonte atij barra e provës për një pasuri që e kishte blerë babai, në kohën kur Maksuti nuk ishte pjesë e drejtësisë, por student.
“Me raportin e ILDKPKI nuk jam dakord. Babai ka punuar 30 vjet si prokuror para viteve ’90 dhe prej vitit 1992, si avokat dhe noter. Në këtë shtëpi kemi jetuar të gjithë. Nuk më takon barra e provës për pasuritë e krijuara prej babait. Në kohën e blerjes së apartamentit në Dibër kam qenë vetëm 16 vjeç. Kur janë kryer pagesat për apartamentin në rrugën “Don Bosko” kam qenë student. Kam kryer pagesat, pasi babai jetonte në Peshkopi. Unë nuk kisha ku ti gjeja paratë në atë periudhë“, tha Bledar Maksuti.
Më tej, trupa gjykuese konstatoi se babai i prokurorit, i cili nuk jeton më, i kishte dhënë një miku të tij një hua 4.5 milionë lekë në vitin 2015, duke deklaruar si burim një shumë 45 mijë euro, të kthyera nga motra e prokurorit.
Sipas KPK-së, prokurori nuk e kishte deklaruar saktë këtë hua të babait dhe motra nuk kishte mundësi për të kthyer borxh me vlerë 45 mijë euro. Në vijim, trupi gjukues tha se babai i prokurorit nuk justifikonte një tjetër hua me vlerë 1.5 milionë lekë që i kishte dhënë nipit të tij.
Sipas Komisionit të Vetingut këto lëvizje parash ishin të pasakta. Gjithashtu, KPK kostatoi si të pajustifikueshme një hua të vetë prokurorit me vlerë 1 milionë lekë dhe blerjen e një garazhi 6 mijë euro.
Prokurori Bledar Maksuti deklaroi se të ardhurat e tij, babait dhe bashkëshortes ishin në total 33 milionë lekë ose rreth 330 mijë USD, që mbulonin huatë dhe pasurinë e palujtshme, që sot është vetëm një apartament dhe garazh.
Por, trupi gjukues tha se prokurori nuk ka dorëzuar dokumenracion të plotë për të provuar të ardhurat e siguruara nga babai nga puna si avokat dhe noter, për periudhën 1993-1999.
Kështu, në analizën financiare janë llogaritur vetëm të ardhurat e provuara me dokumente, duke e nxjerrë prokurorin me një diferencë negative në total me 9.3 milionë lekë.
Prokurori Maksuti u shpreh se nuk kishte marrë një përgjigje nga Drejtoria e Tatimeve Dibër për detyrimet e babait të tij si avokat dhe noter.
Prokurori kishte kontrolluar zyrën e babai, duke gjetur aktet për periudhën 1992-1996. Maksuti kishte gjetur 13 mijë akte noteriale të babait, duke ia paraqitur të skanuara KPK.
Pasi prokurori Maksuti dha shpjegimet e tij, trupi gjykues tha se ishte në një situatë të vështirë dhe në dilemë. Nga ana tjetër prokurori Maksuti tha se “I kam besuar dhe i besoj verbërisht babait për ndershmërinë e tij, lidhur edhe me deklarimet. Kam punuar me ndershmëri unë dhe im atë. Edhe ju po e thoni se po i bëhet vetingu atij”.
Trupa gjukuese lexoi gjetjet e konstatuara gjatë hetimit të prokurorit Bledar Maksuti për figurën dhe profesionalizmin. Prokurori rezultoi i pastër në të dy kriteret.
Maksuti falederoi Komisionin për këtë hetim. Një javë pas seancës dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi shkarkimin e prokurorit Bledar Maksutit nga detyra.
A po humbet sistemi një prokuror të ndershëm?! Fjala e fundit tashmë i takon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.