Përgjaket muaji i shenjtë i Ramazanit! Rudolf Nikolli, 34 vjeç, nga Burreli, person me precedent të mëparshmë penalë ka plagosur pesë persona në xhaminë “Dine Hoxha” në “Rrugën e Kavajës”.
Fillimisht, Nikolli me një thikë buke në dorë është afruar pranë xhamisë dhe ka plagosur punonjësin tek recepsioni i xhamisë. Ky i fundit ta tentuar ta ndalojë dhe ta nxjerrë jashtë, por Nikolli është futur duke plagosur edhe besimtarët që po luteshin.
Të gjithë bashkë, besimtarë e punonjës të xhamisë e kanë nxjerrë jashtë, por sërish 34-vjeçari nuk ka ndaluar së sulmuari, duke përdorur thikën që mbante në dorë.
Më pas, grupi i të pranishmëve në vendin e ngjarjes e kanë vënë poshtë dhe e kanë sulmuar me grushte, shkelma e karrige.
Si pasojë e sulmit të plagosur mbetën: pesë persona, Donald Koçi, rreth 35 vjeç, Saba Peposhi, rreth 22 vjeç, Mariglen Konja, rreth 24 vjeç, Kleon Jaupaj, rreth 26 vjeç dhe Anri Tola, rreth 23 vjeç, mes të cilëve është edhe një punonjës i picerisë pranë xhamisë që ndërhyri për të ndihmuar besimtarët.
Rudolf Nikolli u vu në pranga dhe ndodhet në Drejtorinë e Policisë, ku pritet të merret në pyetje. Nuk dihet ende nëse kemi të bëjmë me një konflikt çasti apo sulm terrorist. Autori rezulton të ketë kryer edhe një plagosje tjetër me thikë, një muaj më parë në një terminal autobusësh. Pas kësaj ngjarjeje, Nikolli u shpall në kërkim por prej më shumë se një muaji lëvizte lirshëm nën hundën e policisë.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe imami i xhamisë, Ahmet Kalaja, i cili në një komunikim me besimtarët myslimanë, u shpreh se shpresonte që ngjarja të mos kishte lidhje me një akt terrorist por që autori të ketë probleme me shëndetin mendor. Ndërsa një dëshmitar tregoi se Nikolla nuk ishte konfliktuar me askënd, por thjesht kishte nisur sulmin. Vetë babai i Nikollit ka treguar se ata janë katolikë, por i biri falej në xhami pasi kishte kontaktuar dhe ishte lidhur me një hoxhë.